JA UNE, JA TI – OSE AS TI, AS UNE..LDK: VAZHDON LUFTA PËR KARRIGË..Përkrahësit e Sejdiut kërkojnë shkarkimin e Isës

Kryesia e Forumit Rinor të Degës së LDK-së në Podujevë,krahu i ish-presidentit Fatmir Sejdiu, pas shprehjes së mllefit në manifestimin e 22- vjetorit të degës së kësaj partie në Podujevë me fishkëllima, filikaqa e vuvuzela sot kanë vazhduar me kërkesat e tyre për largimin e Isa Mustafës nga kreu i LDK-së.

Në një komunikatë për media, kjo Kryesi e ka quajtur kryetarin e degës në Podujevë, Agim Veliun, servil të Mustafës, ndërsa për këtë të fundit ka hedhur dyshime për të kaluarën e tij politike gjatë viteve ’80, por duke mos precizuar se për çfarë.

Ky grup, që njihet si përkrahës i ish-kryetarit të LDK-së, Fatmir Sejdiu, ka reaguar edhe për mosftuarjen e këtij të fundit në këtë përvjetor, ndërsa numrin prej mbi 1000 anëtarëve të rinj e ka quajtur mashtrim.

“Në takimin e Kryesisë së Degës së Forumit Rinor të LDK-së në Podujevë të mbajtur më 18.03.2012, u diskutuan zhvillimet e fundit në LDK, me rastin e shënimit 22 vjetorit të themelimit të degës. Kryesia ka vlerësuar se ky përvjetor nxori në shesh kërkesën e anëtarësisë së Degës së LDK-së në Podujevë që Isa Mustafa të lë kreun e LDK-së, duke pasur parasysh veprimet e tij të dëmshme për zhvillimin e LDK-së, si dhe duke pasur mbi supe të kaluarën e tij politike gjatë viteve ‘80-ta”, thuhet në këtë komunikatë.

“Ky shënim i përvjetorit të degës së LDK-së në Podujevë nxori në pah pakënaqësitë me udhëheqjen e degës me shumë veprime të liga dhe qyqare nga ana e kryetarit, Agim Veliu. Për të rinjtë dhe për gjithë anëtarësinë e LDK-së në Podujevë është e papranueshme që në përvjetorin e themelimit, për herë të parë pas 22 vjetësh nuk është ftuar Fatmir Sejdiu, ish- president i Kosovës dhe kryetar i LDK-së, si dhe Kryetar Nderi i LDK-së dhe një nga themeluesit e saj, figura më e lartë politike që ka pasur dhe ka treva e Llapit dhe me të cilin personalitet është e lidhur ngushtë veprimtaria e LDK-së në Llap”, thuhet në kumtesë.

Kjo metodë, thuhet në komunikatë, e tentimit të përjashtimit nga manifestimet madhore të LDK-së në Llap të figurës që, sipas këtij grupi, gëzon respektin e thellë në këtë trevë, është krejtësisht e papranueshme për anëtarësinë e LDK-së. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE