MUSTAFA: Të zbardhen vrasjet e pasluftës

Me rastin e 13-vjetorit të vrasjes së publicistit të shquar Enver Maloku, shef i Qendrës Informative të Kosovës dhe bashkëpunëtor i presidentit historik Ibrahim Rugova, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe anëtarët e Kryesisë kanë bërë homazhe te përmendorja e Enver Malokut, në lagjen “Kodra e Diellit” të Prishtinës, si dhe kanë vizituar familjen Maloku.

Duke rikujtuar rolin e madh të Enver Malokut në informimin shqip, sidomos në vitet e territ informativ në Kosovë gjatë viteve ‘90, Mustafa tha se “Enver Maloku ka punuar që t’i afirmojë vlerat e demokracisë së vendit tonë, ka qenë një bashkëpunëtor shumë i ngushtë i presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në informim, atëherë kur Kosova ka qenë e mbyllur dhe kur informimi ka qenë në terr për Kosovën. Ne e çmojmë lart atë që Enver Maloku ka bërë për Kosovën, për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për pavarësinë e Kosovës”.

Po ashtu, në kontekst të moszbardhjes së shumë vrasjeve të rënda që kanë ndodhur në Kosovë, Mustafa tha se do të ishte shumë mirë që organet kompetente të Republikës së Kosovës dhe organet e hetuesisë të merren me këto raste, në mënyre që t’i zbardhin këto raste, sepse nuk është një obligim vetëm ndaj Enver Malokut, ndaj familjes së Enverit ose ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, por është një obligim ndaj demokracisë së Kosovës, ndaj shtetit ligjor, ndaj ndërtimit të drejtësisë së ardhshme në Kosovë, në mënyrë që çdo njeri të përgjigjet për veprat që ka bërë dhe në mënyrë që çdo gjë që ka ndodhur të zbardhet, sepse janë vrarë shumë veprimtarë të LDK-së, të cilët s’kanë bërë asgjë tjetër, përveçqë janë angazhuar për lirinë dhe demokracinë e këtij vendi.

Ndërsa, nënkryetari i LDK-së, Sabri Hamiti, rikujtoi para gazetarëve punën dhe sfidat, me të cilat është ballafaquar Enver Maloku në kohën e okupimit, që informata të plasohej.

“Meqë jeni gazetarë, vetëm dua të kujtoj që ai ka qenë një pararendës i madh juaji, që ka treguar një guxim dhe një përkushtim të jashtëzakonshëm profesional në kohë tmerrësisht të vështirë. Është i pari që ka inauguruar komentin e ditës. Unë mendoj që libri i tij – që ekziston në tirazh të vogël, po sidokudo nëpër biblioteka ekziston – “Gjuha e stuhisë”, është një shembull, një referencë që mund të shihet se si mund të shkruhet konkretisht, bukur, saktë, edhe në kohë të tmerrshme. Ai ka qenë kronikani më i mirë i kohës së vet për ndodhjet në Kosovë. Është një nderim edhe për gazetarët, kur nderohet Enver Maloku”, theksoi Hamiti.

Do theksuar se presidenti Ibrahim Rugova, më 23 dhjetor 2004, për kontributin e jashtëzakonshëm në fushë të informimit dhe të publicistikës shqiptare, e pati dekoruar Enver Malokun me “Medaljen e Artë të Pavarësisë”. /Zëri/


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni