LDK APELON PËR DEBAT: GJITHCKA MUND TË NDRYSHOHET, POR JO EDHE SIMBOLET E DR.RUGOVËS

 

Me rastin e promovimit të librit “11 MINUTA PARA ORËS ’00 ose mirazhi i suksest të LDK-së “, të Shefqet Dibranit.

 

Mund të zëvendësohet kryetari i LDK-së, edhe Presidenti i Kosovës mund të zëvendësohet, dhe kjo ka pak rëndësi, sepse emrat kanë pak rëndësi. Por, simboli Ibrahim Rugova nuk mund të zëvendësohet dot, nga askush. Ky nuk është fatalizëm, por realizëm. Popuj të ndryshëm kanë shumë kryetarë partish apo qeveritarë, por simbole kanë fare pak. Fati e solli që Rugova të ishte më shumë se qeveritar. Dhe ai e pranoi fatin siç i erdhi.              

 

I nderuari z. Shefqet Dibrani

I nderuari  kryetar i nëndegës së LDK-së  z. Sallah Januzi        

Të nderuar  Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni që në emër të kryesisë së LDK-së Dega në Zvicër dhe anëtarësisë së saj, t`ju  përshëndes dhe të ju uroj për promovimin e librit “11 MINUTA PARA ORËS ’00 ose mirazhi i suksesit të LDK-së “, të autorit Shefqet Dibrani.

Gjithashtu më lejoni të përshëndes edhe iniciativën e nëndegës së LDK-së në St. Gallen dhe kryetarin e saj z. Sallah Januzi  për të promovuar këtë  libër në mesin         e mërgimtarëve këtu në Zvicër.

Gjithashtu përshëndes autorin për këtë libër që sjell sot për lexuesit. Zotëri Shefqet Dibrani  është njohës i mirë i Veprimtarisë së LDK-së ku gjatë veprimtarisë së tij ka qen bartës i disa funksioneve në LDK siç janë: Anëtarë i kryesisë së Degës së LDK-së në Zvicër, dy herë delegatë i kësaj Dege në Kuvendet e LDK-së në Prishtinë (1994; 1998), anëtarë i Këshillit Qendror të LDK-së për Zvicër, kryetar i parë nëndegës së LDK-së në St. Gallen, Koordinator i Grupit të 10-të, të nëndegëve të LDK-së etj.

Po ashtu më duhet të theksojë se kam pasur nderin të jem bashkëveprimtar  me te në ditët më të vështira që kalonte Kosova, ku jemi munduar të japim, dhe vazhdojmë të japim kontributin për çështjen kombëtare, bashkë me qindra e mijëra veprimtarë të tjerë të kauzës kombëtare, që vepronin kryesisht në kuadër të Degës së LDK-së në Zvicër. Njëherit të gjithë jemi dëshmitarë të asaj se çfarë pune kolosale, ka bërë kjo degë, në të mirë të Kosovës, e çështjes kombëtare në përgjithësi.

Aktiviteti i kësaj dege përmbledhur në një hark kohor 21-vjeçar, ka një meritë të vetën, me një begraund të lartë kombëtar. Në të cilën, ne edhe veprimtarët  brenda saj kanë investuar shumë.

Veprimtaria politike dhe letrare e autorit z. Shefqet Dibrani, është  në interes të kulturës dhe çështjes së Kosovës, që është sa produktive aq dhe definuese për shumë procese e madje edhe për pavarësinë e Kosovës. Ky libër (sado me kritika të ashpra), ma merr mendja se ka për qëllim hapjen e debatit të brendshëm, mjaftë i domosdoshëm për të tashmen e LDK-së, dhe përshkruan me hollësi, jo vetëm thjesht si sentimentalizëm, por me një ndjenjë përgjegjësie që edhe sot e kësaj dite po e e jep vet autori me shkrimet e tija analitike që kanë për temë  zhvillimet  brenda LDK-së si dhe dëshira për ta parë LDK-në si prijëse në të gjitha proceset  politike, zhvillimore në Kosovë dhe më gjerë. Gjatë gjithë kësaj kohe ky autor nuk ka reshtur, tashti publicistika kosovare pasurohet edhe me një libër nga një autor që jeton përtej „kufijve“, pra, nga këtu në Zvicër. Librave të shumtë, i shtohet edhe një rrjedhë tjetër që ngjason sikurse ujërat që mblidhen në lumin e madh, të cilit i shtohet edhe një përrua dhe kjo e bën më të begat këtë lum, sepse çdo lum i madh krijohet e pasurohet nga burimet, siç thotë proverbi francez i njohur edhe tek ne se “pika – pika bëhet lumi”.

Secili prej nesh mund të ketë mendime të ndryshme për çështje të caktuara. Mendoj edhe autori në fjalë. Ndonjëherë, edhe brenda një familjeje për çështje të caktuara ka mendime të ndryshme, dhe kjo është krejtësisht e natyrshme dhe e shëndetshme. Mendoj se vetëm me një dialog të kundërshtive lind progresi, kurse shoqëria njerëzore ec përpara në zbulimin e virtyteve njerëzore brenda vetvetes.

LDK si forcë politike, në thelbin e saj anti-dogmatike, duhet ta inkurajojë debatin brenda vetes, në mënyrë që nëpërmjet atij debati të lindin mendime dhe ura të bashkimit. Disa do të thoshin se kjo është e vetmja mënyrë, por edhe kjo është çështje e debatit.

Autori i librit z. Shefqet Dibrani ashtu edhe siç shprehet vetë në këtë libër se “libri paraqet një kurs politik, një koncept të pandryshuar, që kam ndjekur që nga dita e anëtarësimit në LDK. Ndërsa kritikat përkitazi me zhvillimet e brendshme politike kanë qenë të vazhdueshme, duke ruajtur një vizion të qartë që nga fillimi e gjer më sot. Pasaktësitë a lëndimet e mundshme kanë të bëjnë më shumë me çastin dhe rastin kur janë shkruar, me mllefin që ka ekzistuar në ato çaste, por jo si një platformë e drejtuar ndaj individit, kushdo që të jetë ai, ndaj shoqërisë sonë që po prosperon drejt së ardhmes së saj demokratike, e ruana Zot të më shoqërojë ndonjë vrer kundër LDK-së në veçanti, dhe Kosovës në përgjithësi“.

Me fjalë të tjera autori Shefqet Dibrani, shprehet se libri është sajuar si arsyetim mbi fakte, të cilën e jep me një profesionalizëm që nuk e kemi hasur në librat e kësaj natyre, që e bashkon me sinqeritet e dashuri për njerëzit e vyeshëm në LDK, si vlerë tjetër e madhe e këtij libri.         Fundja e fundit autori ngulmon pa reshtur që anëtarëve dhe simpatizuesve të devotshëm të LDK-së, pra “Rugovistëve”, duhet t’u jepet hapësirë… Atyre duhej hapur dyert e dritaret, atyre duhej dhënë shansi demokratik, duke kanalizuar me kujdes energjitë, kreativitetin e përkushtimin për forcimin e LDK-së, duke vijëzuar procesin e ndërtimit e bashkëkrijimit të strukturave të fuqishme partiake, të përbashkuara rreth frymës Rugoviane. Mendoj, se ky është qëllimi i vetëm i këtij autori, edhe nëse nuk ka arritur ta shpreh si duhet, shpresoj angazhimi i tij 20-vjeçar e dëshmon më mirë qëllimin e tij të mirë.

Mund të zëvendësohet kryetari i LDK-së, edhe Presidenti i Kosovës mund të zëvendësohet, dhe kjo ka pak rëndësi, sepse emrat kanë pak rëndësi. Por, simboli Ibrahim Rugova nuk mund të zëvendësohet dot, nga askush. Ky nuk është fatalizëm, por realizëm. Popuj të ndryshëm kanë shumë kryetarë partish apo qeveritarë, por simbole kanë fare pak. Fati e solli që Rugova të ishte më shumë se qeveritar. Dhe ai e pranoi fatin siç i erdhi.

LDK-ja  ka nevojë si kurrë për lirinë e mendimit, për shumësi mendimesh, për platforma të shumëllojshme politike, për pluralizmin politik, por asnjë nga ato nuk guxojnë të bien ndesh me “Programin Kombëtar” të filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës dhe LDK-së, program ky i përgjakur me gjakun e ideatorëve të tij si: Fehmi Agani, Adem Jashari, Latif Berisha, Gazmend Zajmi, Xhemail Mustafa, Bajram Kelmendi, Ismet Rraci, Haki Ymeri, Sali Çeku, Ukë Bytyçi, Smajl  Hajdaraj, e shumë të tjerë që ishin veprimtar e bërthama e LDK-së dhe e lirisë së Kosovës.

Dhe krejt në fund, autorit z. Shefqet  Dibrani, bashkëveprimtarit tonë, i uroj shëndet të mirë dhe suksese në veprimtarin e tij krijuese e letrare. Natyrisht nga nëndega e LDK-së në St. Gallen pres aktivitet e gjallërim kulturor e politik, sepse ndikimi i kryesisë suaj ka bërë që Grupin i 10-të i nëndegëve të LDK-së, për vitet të tëra të mos e ketë atë namin që e ka pasur dikur.

 

St. Gallen, 18 dhjetor 2011

 

Haki Latifi,

kryetar i Degës së LDK-së në Zvicër

 

 

*Ky shkrim është lexuar me rastin e promovimit të librit, që u bë kohë më parë në St. Gallen.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni