Lëvizja për Bashkim kërkon nga Qeveria e Kosovës që të mos marrë masa reciprociteti ndaj qytetarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, të cilët kalojnë nëpër pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, ashtu siç ka bërë shteti serb me përjashtimin e pikave kufitare të veriut të Kosovës nga po e njëjta masë.

“Këshilli Administrativ i Byrosë Kosovare të Sigurimit përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se në konsultim me Qeverinë e Kosovës ka kërkuar nga Banka Qendrore e Kosovës miratimin e tarifave të policave kufitare me Serbinë, të cilat do të jenë me çmim reciprok me ato të Serbisë… Kjo masë e ndërmarrë nga ana e Qeverisë së Kosovës e dëmton rëndë interesin e drejtpërdrejtë të qytetarëve të Kosovës Lindore, respektivisht qytetarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës”, thuhet mes tjerash në një komunikatë të lëshuar nga Lëvizja për Bashkim.

Më tej, theksohet se kjo masë ndikon keq në raportet dhe në komunikimin në mes të shqiptarëve të Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës Lindore.

Sipas Lëvizjes për Bashkim, “kjo masë e ndërmarrë nga ana e Qeverisë së Kosovës tregon edhe një herë se kjo qeveri e ngatërron, nuk e di apo nuk dëshiron ta dijë se ka interesa shtetërore, por ka edhe interesa kombëtare, të cilat shpesh nuk përputhen ndërmjet veti”. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE