Lavrov: Maqedonia vendos,me ne ose me Europën

 Maqedonia vet zgjedh se çfarë politikë të jashtme do të zbatojë, a do të jetë me Rusinë ose me Evropën, porositi nga Ohri ministri i jashtëm rus Sergej Llavrov pas takimit me nikoqirin Antonio Milloshoski. Ai tha sot se Rusia nuk është e afërt me Maqedoninë që të jetë kundër dikujt, pasi para dy ditësh deklaroi në Podgoricë se zgjerimi i mëtejmë i NATO-s tash më nuk garanton sigurinë e dikujt.

“Ende janë të gjalla instinktet tona që na detyrojnë të kërkojmë ndonjë situatë të fshehur. Fatkeqësisht edhe politikanët e caktuar evropian po tregojnë një dukuri të këtillë kur i detyrojnë vendet e caktuara të bëjnë zgjedhjen, ose jeni me Rusinë ose jeni me Evropën. Ne zhvillojmë një politikë të hapur të jashtme dhe jemi të gatshëm për një bashkëpunim të ngushtë me çdo vend. Ne nuk jemi të afërt me Maqedoninë që të jemi kundër dikujt”, deklaroi Sergej Llavrov, ministër i jashtëm i Rusisë.

Llavrov thotë se kontesti me emrin duhet të zgjidhet. Gjatw takimit u shpreh gatishmëria edhe për liberalizimin e vizave ndërmjet qytetarëve të dy shteteve. Shefi i diplomacisë maqedonase thotë se kjo vizitë mund të jetë një nxitje për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“Republika e Maqedonisë e shikon Federatën ruse si një pjesë të Evropës dhe si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që ka një bashkëpunim të frytshëm me të gjithë anëtarët e BE-së. Ka një interesim të fuqishëm dhe serioz për përparimin ekonomik të Evropës Juglindore. Kjo mundësi dhe vizitë është një kontribut për çuarjen përpara të këtyre objektivave të përbashkëta. Ndarjet në Lindje dhe në Perëndim janë një softuer i vjetruar nga koha e luftës së ftohtë dhe kjo ndarje është pjesë e historisë”, deklaroi Antonio Milloshoski, ministër i jashtëm.

Dy ministrat thonë se nevojitet një bashkëpunim më i madh ekonomik. Ministri Llavrov foli për projektin ‘Rrjedha jugore’ për të cilin mendohet që të kalojë edhe nëpër vendin tonë.
“Traseja e gazsjellësit të ardhshëm është në fazën e shqyrtimit. Po orvatemi që në të të përfshihen edhe interesat e Republikës së Maqedonisë dhe në të ardhmen edhe ajo të jetë pjesë e tij. Vitin e kaluar autoritetet e juaja iu dhanë propozime përfaqësuesve të kompanisë Gazprom. Presim që së shpejti të ketë një zgjidhje”, u shpreh Sergej Llavrov, ministër i jashtëm rus.

Llavrov përpos me ministrin Milloshoski u takua edhe me kryeministrin Gruevski dhe me presidentin Ivanov. Vizita e tij në vend shpjegohet si përgatitje për ardhjen e shpejtë të presidentit rus Dimitri Medvedev.
“Vizita e Llavrovit në Ohër përputhet edhe me 150 vjetorin e hapjes së konsullatës së parë ruse në Maqedonia, në Manastir. Pas dhjetë vitesh kjo është vizita e parë e një ministri rus në Maqedonia , pasi në vitin 1999 vendin e vizitoi ministri i atëhershëm i punëve të jashtme Andrej Kozirev”


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni