Lamtumirë Triumf

triummffSporti shqiptar është në zi. Nga e shtuna mbrëma, ai ka mbetur pa një futbollist të shkëlqyeshëm, pa një shok të mirë dhe një person të sinqertë. Ka mbetur pa Triumf Shabanin, futbollistin 20-vjeçar të Ferronikelit.

Triumfi ishte duke luajtur futboll me miq dhe papritmas ka pësuar sulm në zemër, nga i cili ka ndërruar jetë.

Vdekja e tij e hershme i ka tronditur jo vetëm familjarët dhe bashkëlojtarët e tij, por gjithë opinionin sportiv, i cili sikur nuk beson se Triumfi nuk është më në mesin e tyre.

“Jam pikëlluar thellë. Ende nuk mund të besoj se Triumfi nuk është në mesin tonë. Ende nuk mund të besoj se ai ka ndërruar jetë. Ishte një djalë i urtë dhe nuk kam njohur ende sikur ai për qetësinë, sinqeritetin”, thotë Fatih Karahoda, futbollist i Ferronikelit.

Rexhepi: Kushtojini kujdes sistemit kardiak

Vdekja e sportistëve gjatë ndeshjeve është dukuri që po ndodh gjithnjë e më shpesh. Mjeku sportiv, Agron Rexhepi, e ka njohur mirë Triumf Shabanin dhe ishte i tronditur nga lajmi për vdekjen e tij.

“Jam i tronditur thellë nga lajmi për vdekjen e Triumf Shabanit, të cilin e kam njohur mirë dhe kam pasur rast ta kontrolloj gjendjen e tij. Kontrollin e fundit te unë e ka bërë para një viti dhe përveç tensionit të lehtë, nuk ka pasur diçka serioze, madje me aktivitet sportiv e ka stabilizuar tensionin”, thekson Rexhepi.

“Jemi dëshmitarë se gjëra të tilla po ndodhin edhe me klube të mëdha dhe në vende ku mjekësia ka përparuar shumë, por pavarësisht nga kjo, ne duhet t’i kushtojmë rëndësi kontrollimit mjekësor dhe ta stopojmë edhe problemin më të vogël që mund ta kenë sportistët”, shprehet Rexhepi.

Nga kontrollimi që ai u ka bërë sportistëve, 167 prej tyre thotë se kanë pasur probleme kardiake dhe asnjërit nuk i është lejuar të paraqitet në fushë para se ta bëjë kontrollin e sërishëm. Rexhepi apelon që sistemit kardiak dhe hipertensionit t’i kushtohet rëndësi më e madhe.

Ngushëllohet familja Shabani

Vdekja e Triumf Shabanit i ka pikëlluar edhe drejtuesit e sportit në vendin tonë dhe ata të Federatave të ndryshme, të cilat po e ngushëllojnë familjen e futbollistit. Në telegram ngushëllimi të Ministrisë së Sporteve dërguar familjes Shabani, ndër të tjera thuhet:

“Triumfi do të jetë një emër i veçantë për futbollin e Kosovës dhe sportistët do ta kujtojnë atë gjithmonë, duke e marrë nga ai modelin e një të riu që punon shumë për suksese në jetën e tij në futboll dhe fusha tjera”.

Edhe kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, e ka ngushëlluar familjen Shabani, por edhe KF Ferronikeli.

“Vdekja nuk zgjedh moshë, ndaj edhe Triumfin e mori në lulen e rinisë, por për kaq kohë, Triumfi la gjurmë të thella, duke qenë një fëmijë i shkëlqyer i familjes, një shok i mirë, një futbollist që e donte fushën e gjelbër dhe i nderuar në mesin e futbollistëve. Familja humbi një nga anëtarët më të dashur, futbolli i Kosovës humbi një futbollist të spikatur në përgjithësi e klubi i futbollit “Ferronikeli” në veçanti, por virtytet që e stolisën Triumfin na bëjnë të gjithëve që ta përballojmë më lehtë humbjen e tij. Edicioni i ri garues pa Triumfin do të jetë më i varfër, por ai gjithmonë do të kujtohet me pietet nga të gjithë”, thuhet ndër të tjera në telegramin ngushëllues të Fadil Vokrrit.

Familjarët e Triumf Shabanit gjenden në Francë, dhe për këtë arsye varrimi i të ndjerit do të bëhet më vonë.

Me këtë rast edhe redaksia e sportit e gazetës “Zëri” ngushëllon familjen Shabani, si dhe KF Ferronikelin. Qoftë i lehtë dheu yt, Triumf.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni