Amsterdam, 8 korrik – Në një vend ku një në dy martesa përfundon me divorc, hapet një lloj i ri biznesi sidomos për ato çifte që duan ta mbyllin këtë procedurë sa më shpejt dhe pa dhimbje. E gjithë kostoja shkon nga 3500 deri në 10.000 dollarë, ndërsa një divorc “tradicional” shkon deri në 20 mijë dollarë, raporton gazeta Shqip.Sistemi është testuar në Holandë dhe tani ka zbarkuar në hotelet luksoze në Amerikë

Mirëserdhët në hotel “Divorci”: ku të premten në mbrëmje bëni “chek-in” si një çift ende të martuar, ndërsa të dielën dilni beqarë dhe pa asnjë lloj impenjimi. Amerika është e njohur për martesat e saj të rrufeshme dhe si kundërpërgjigje edhe tani mund të flasim për divorce të rrufeshme. E gjitha për të kursyes para, stres apo komplikacione të kota. Në një vend ku një në dy martesa përfundon me divorc, hapet kështu një lloj i ri biznesi sidomos për ato çifte që duan ta bëjnë këtë procedurë sa më shpejt dhe pa dhimbje. Për më tepër edhe më ekonomike. Një fundjavë në hotelin ku gjithçka është e përfshirë, me drejtuesit që kujdesen për avokatët dhe çdo lloj shërbimi, përfshi edhe atë financiar, e ku gjithçka ka më shumë leverdi për çiftet që i thonë lamtumirë njëri-tjetrit. E gjithë kostoja e kësaj procedure të shpejtë shkon nga 3500 deri në 10.000 dollarë që përfshin si pjesën e hotelit ashtu edhe atë ligjore. Madje përfshihen edhe seancat me psikologun për t’u përgatitur për të gjitha të papriturat e mëvonshme. Duke llogaritur  se mesatarisht një divorc në Amerikë kushton nga 5000 deri në 20.000 dollarë, del që hotel “Divorci” është një formulë goxha tërheqëse. Për këtë arsye shumë hotele luksoze nga Nju Jorku në Los Angelos mund ta ndjekin këtë praktikë shumë fitimprurëse. Që kjo ide funksionon, është provuar tashmë. Hotel “Divorci” nuk është një projekt, është një realitet. Ky rrjet hotelesh e ka kaluar testin e parë në Holandë,  i cili rezultoi shumë i suksesshëm aq sa themeluesi i kësaj ideje, sipërmarrësi holandez, Jim Halfens, konsiderohet si një gjeni i këtij sektori sipas asaj që shkruan “New York Times”. Në fakt, duke marrë parasysh sa shumë kushtojnë sot divorcet Halfens ndihet shumë krenar që redukton shpenzimet e atyre që vendosin të zgjidhin martesën dhe në këtë mënyrë rrit të ardhurat e veta. Çdo vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës divorcohen rreth 1.2 milionë persona. Nga kjo më shumë se 175 miliardë dollarë harxhohen në vit, sidomos për sigurimin e avokatëve. Duke parë këtë gjendje, Halfens duket thuajse si një engjëll i rënë nga qielli për t’i ndihmuar njerëzit të ndahen sa më kollaj: formula e divorcit-ekspres ofron shumë të mira, por mbi të gjitha kosto të reduktuar, aq shumë e rëndësishme në këtë kohë krize ekonomike dhe recesioni. Halfens i ka menduar mirë të gjitha alternativat. Ai e di mirë se çfarë mund t’i duhet një çifti në prag divorci. Hotel “Divorci” është një formulë që ofron dhoma të ndara, ndërsa i gjithë personeli i hotelit është trajnuar për të mos bërë gafa dhe për të qenë sa më i kujdesshëm. Çifti nuk pritet me fjalën “të kaloni një fundjavë të këndshme në hotelin tonë”. Gjithë profesionaliteti i mësuar në shkollat më të mira të hotelerisë përshtatet sipas situatës. Halfens është i bindur se shpejtësia me të cilën mbyllet një proces gjyqësor ndikojnë shumë në eliminimin e traumave psikologjike. Divorcet që zgjatin për muaj me radhë, tregon sipërmarrësi holandez, që ka parë shumë të tilla mes miqve të tij, priren të zgjasin dhe të shtojnë më shumë stresin. Fundjava ku gjithçka është e përfshirë lejon që të kthesh faqe sa më parë të jetë e mundur. Sepse më mirë një fund i dhimbshëm sesa një dhimbje pa fund.

Dhoma të ndara dhe çdo lloj shërbimi, përfshi edhe atë psikologjike për çiftet

Ekspertët

Hoteli ka përfshirë në strukturën e tij avokatët dhe psikologët më të mirë në gjendje të ofrojnë çfarëdo lloj shërbimi për të cilën çiftet mund të kenë nevojë. “Ka nga ata që preferojnë t’i kalojnë bashkë edhe orët e fundit të bashkëjetesës, ndërsa të tjerë as që duan t’ia dinë. Ne jemi trajnuar për të ofruar çfarëdo lloj ndihme që ata kanë nevojë për ta kaluar këtë fazë të jetës së tyre”, tregon një nga avokatët më të njohur Robert Cohen, që ka pasur mes klientëve të tij kryetarin e  Bashkisë së Nju Jorkut apo gruan e Donald Trump, Ivanën.  Klientëve u serviren në dhomë edhe dvd me emisione apo filma për fundin sa më të lehtë të një martese.

Hoteli – Çiftet hyjnë të premten në mbrëmje ende të martuar dhe dalin të dielën në darkë të lirë nga çdo impenjim

Kostot – Tarifat e Hotel “Divorcit” shkojnë nga 3500 deri në 10.000 dollarë në varësi të marrëveshjeve të nënshkruara

Kërkesa – Më shumë se 1.2 milionë persona në SHBA kanë paraqitur kërkesën për divorc në 2009-n

SHPËRNDAJE