Me 74 vota pro, Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur datën 4 qershor, për zhvillimin e raundit të dytë të votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit. Me votat e mazhorancës është vendosur që raundi i dytë të zhvillohet në orën 10:00 të së hënës, ashtu siç kishin kërkuar një ditë më parë shumica e anëtarëve të Konferencës së Kryetarëve.

Ditën e djeshme, mazhoranca kërkoi caktimin e datës 4 qershor ora 10:00 për raundin e dytë të votimit, ndërkohë që opozita kërkoi të vendosej data 5 qershor, ora 10:00, për shkak se i nevojitej më tepër kohë. Në këto kushte, Konferenca gjykoi që për mungesë konsensusi, zgjedhja e njërës prej këtyre alternativave të bëhej në seancën e sotme parlamentare. Raundi i parë i votimit për kreun e ri të shtetit dështoi dhe nuk pati asnjë kandidat zyrtar për tu hedhur në votim. Kjo për shkak se emri i përzgjedhur nga mazhoranca, anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori, nuk gjeti konsensusin e opozitës për t’u votuar. Propozimi për Zaganjorin nuk u depozitua zyrtarisht në komisionin e Ligjeve, ndërkohë që opozita u shpreh se u përjashtua nga procesi i zgjedhjes së presidentit.

SHPËRNDAJE