Kuvnedi i Kosovës ka përfunduar debatin për bisedimet me Serbinë por nuk arrin të miratojë asnjë rezolutë që ishte parashtruar nga partia Demokratike dhe nga lëvizja Vetëvendosje. Pas një debati të ashpër ku dominoi “konflikti” në mes të deputetëve të PDK-ksë dhe Lëvizjes “Vetëvendosja”, më në fund kryetari i Kuvendit jakup Krasniqi propozi që të rezolutat e propozuara të harmonizohen në një rezolutë në të cilën dot ë përfshiheshin edhe çështjet e shtruara në debatin e ditës së sotme,

 

 

Kryeministri i Kosovës ka paraqitur arsyeshmërinë për debat para deputetëve të Kuvendit të Kosovës në seancën, në të cilën po zhvillohet debat për procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat pritet të nisin nesër. Grupi Parlamentar i PDK-së, ka paraqitur një draftrezolutë, në të cilën përcaktohet korniza e bisedimeve dhe kërkohet mbështetja e Kuvendit, ndërkaq edhe Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur një rezolutë, përmes së cilës kundërshtohet nisja e bisedimeve dhe përcaktohen një sërë kushtesh për Serbinë, por edhe për Bashkimin Evropian.

Thaçi ka thënë se këto nuk janë negociata, por është dialog teknik, i cili do të ketë një qëllim të vetëm, normalizimin e raporteve ndërshtetërore Kosovë-Serbi. Ai ka ftuar Kuvendin e Kosovës që ta përkrah këtë proces, ta vazhdojë dhe të kyçet nga afër në rrjedhën e tij, përderisa ka garantuar transparencë në gjithë procesin e bisedimeve, i cili beson se do të jetë i gjatë, por me rezultat të njohjes reciproke.

“Përmes këtij dialogu ne synojmë njohjen sa më të shpejtë edhe nga pesë vende të Bashkimit Evropian, përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave, anëtarësim në NATO dhe BE dhe ky proces me bindje të plotë të përmbyllet me njohjet reciproke të Kosovës dhe Serbisë dhe anëtarësimit në BE, NATO dhe Kombet e Bashkuara”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se dialogu është në përputhje me dokumentin e Ahtisarit, i cili është mbështetur nga gjithë spektri politik i legjislaturës së kaluarës dhe po ashtu edhe me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, më 9 shtator 2010.

Kreu i Qeverisë ka garantuar se në asnjë rrethanë nuk do të bisedojë me Serbinë për çështjet, për të cilat me kohë janë vënë vijat e kuqe, siç është statusi politik i Kosovës, çështjet që prekin integritetin territorial të Kosovës dhe çështjet që janë në kundërshtim me propozimin gjithëpërfshirës të Ahtisarit.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka paraqitur një draftrezolutë, përmes të cilët kërkohet që: 1. Kuvendi i Kosovës të mbështet dialogun midis dy shteteve për çështje praktike në interes të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe avansimit të agjendës evropiane; 2. Kuvendi i Kosovës të kërkojë që dialogu të lehtësohet nga BE-ja dhe SHBA-ja; 3. Dialogu i Kosovës dhe Serbisë të jetë i përgatitur mirë me agjendë të qartë dhe të përcaktuar paraprakisht me marrëveshje me palët; 4. Agjenda e dialogut duhet të përfshijë vetëm çështje teknike të interesit të përbashkët, pa prekur në asnjë rast sovranitetin, integritetin dhe rregullimin e brendshëm të Kosovës; 5. Udhëheqja e delegacionit të Kosovës për dialogun do ta informojë rregullisht Komisionin për politikë të jashtëm dhe Kuvendin e Kosovës; 6. Kuvendi shpreh vullnetin e Kosovës dhe të qytetarëve për të vendosur marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë në të mirë të dy vendeve fqinje; Dhe 7. Kuvendi i Kosovës e afirmon qëndrimin se bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe dialogu janë domosdoshmëri për përshpejtimin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike.

Për GP të LDK-së, bisedimet janë të nxituara dhe të panevojshme në këtë fazë, ngase konsideron se Kosova nuk fiton asgjë, përderisa nga Qeveria kërkon transparencë të plotë në këtë proces.

“I Propozojmë Kuvendit që të kërkojë nga Qeveria një platformë të qartë të pritjeve dhe bisedimeve. Një ambient i nevojshëm për fillimin e këtyre bisedimeve, nënkupton tërheqjen e strukturave paralele. Nëse BE-ja kërkon që Kosova të ulet në tavolinën e bisedimeve, atëherë duhet të ofrojë kushte të njëjta edhe për Kosovën, ashtu edhe si për Serbinë”, ka thënë shefi i GP të LDK-së, Ismet Beqiri, i cili po ashtu ka përcaktuar kritere të njëjta për bisedime.

Ndërkaq, shefi i GP të Vetëvendosjes Visar Ymeri, duke u bazuar në shumë fakte, duke përmendur protestat e vazhdueshme, luftën e UÇK-së dhe dokumente të ndryshme të nxjerra, ka paraqitur rezolutën kundër bisedimeve.

Përmes kësaj rezolute, përcaktohet që në asnjë mënyrë nuk mund të diskutohet për subjektivitetin politik dhe territorial të Kosovës, të ketë një marrëveshje politike për çfarëdo bisedimesh, nuk mund të bisedohet pa njohjen faktike nga Serbia, pa tërheqjen e strukturave paralele, pa kthimin e 1300 trupave të shqiptarëve, pa dorëzimin dhe dënimin e kriminelëve të luftës, pa pagimin e dëmeve të luftës, kthimin e fondit pensional, kthimin librave kadastral, eksponatet kulturore, pa ndërprerjen e shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe garantimin e të drejtave të tyre, sikur që kanë të drejta serbët në Kosovë.

Ndërkaq, shefi i GP të AAK-së Ardian Gjini ka theksuar se Kuvendit dhe qytetarëve po tentohet t’u hidhet hi syve, ngase sipas tij, Kosova nuk është e përgatitur që të hyjë në një proces të tillë të bisedimeve

“Përgatitje nënkupton kërkesa të qarta kundrejt BE-së, dhe garanca se çka fiton Kosova në këtë dialog. Kosova duhet ta ketë agjendën e qartë. Ne duhet ta dimë se çka do të fitojmë. Krejt këto mund t’i duken dikujt ekzagjerim, por vetë fakti që kërkohet mbështetje për negociata që fillojnë nesër, tregon se kjo ka të bëjë edhe me çështje tjera”, ka thënë Gjini, duke theksuar se kjo që po ndodhë po dëshmon se nuk ka përgjegjësi shtetformuese ne Qeverinë aktuale të Kosovës.

Edhe shefi i GP të AKR-së si parti partnere e koalicionit, Ibrahim Makolli, ka paraqitur të njëjta kushte për të hyrë në bisedime, përderisa ka thënë se Qeveria duhet të ndërtojë një konsensus pozitë-opozitë-shoqëri civile, sepse në të kundërtën do të jetë vetëm çështje e një grupi.

Ndërkohë, përfaqësuesit e partive të pakicave kanë mbështetur fillimin e dialogut, kurse gjatë debatit, deputetët kanë shprehur qëndrimet e tyre, kryesisht kundër fillimit të bisedimeve.

Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se ka agjendë për këto bisedime, mirëpo kjo nuk po tregohet, ndërkohë që bisedimet i ka konsideruar si çështje që shkon vetëm në favor të kryeministrit Hashim Thaçi, për të ruajtur pushtetin.

Kurti ka thënë se para se të bisedohet me Serbinë, duhet të fillohet dialogu me Shqipërinë dhe bashkërendimi i shumë çështje me shtetin shqiptar, në mënyrë që të ketë një unifikim të faktorit shqiptar në Ballkan.

Debati do të vazhdojë gjatë seancës së sotme, ndërkaq në fund pritet që të të vihen në votim dy draftrezolutat e paraqitura, njëra nga PDK-ja, tjetra nga Lëvizja Vetëvendosje.

 

SHPËRNDAJE