Rahovec, 14 qershor – Vendimi i Qeverisë për të vënë taksë doganore për prodhimet nga Serbia dhe Bosnja që futen në Kosovë, sipas ministres për Tregti dhe Industri, Mimoza Kusari-Lila, është i pakthyeshëm. Taksa prej 10 për qind, sipas premtimit të saj të mëhershëm, do të zbatohet nga mesi i qershorit dhe nëse nuk jep rezultate mund të shkohet në bllokim të plotë të mallrave nga këto vende, si reagim ndaj vendimit të këtyre dy shteteve për të mos lejuar qarkullimin e mallrave nga Kosova nëpër Serbi, që nga shpallja e pavarësisë.

”Më i rëndë është bllokimi i mallrave transit të Kosovës nëpër këto dy shtete. Ne jemi të pakthyeshëm në vendimin tonë. Nuk ka kompromis në raport me normalizimin e marrëdhënieve tregtare me këto dy shtete”, është shprehur Kusari-Lila.

Në një tryezë të organizuar nga Komuna e Rahovecit lidhur me sfidat dhe perspektivën ekonomike, Kusari ka paralajmëruar edhe shtetin shqiptar për nevojën e bashkëpunimit institucional dhe tejkalimin e problemeve me aplikimin e referencës doganore.

“Jemi në pritje të përgjigjes nga Qeveria e Shqipërisë për aplikimin e çmimeve referencë për eksportin e qumështit prej Kosove në Shqipëri”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila ka thënë se me politikat tregtare të CEFTA-s, ka tre vjet që Kosova është e bllokuar në raport me eksportin e mallrave me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Në tryezë ishin të pranishëm përfaqësues biznesesh, bujq, perimtarë, vreshtarë, ndërsa bashkë me Kusari-Lilën nga qendra ishte i pranishëm edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe i Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci. Ky i fundit u ka premtuar bujqve dhe vreshtarëve të kësaj komune ndihma më të mëdha në zhvillimin e këtyre degëve, përmes subvencionimit të prodhimeve të tyre dhe të donacioneve. (Koha.net)

SHPËRNDAJE