Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, dhe nënkryetari i parë, Shpend Ahmeti po qëndrojnë në një vizitë dyditore në Bruksel.
Gjatë qëndrimit të tyre në kryeqytetin e institucioneve të BE-së, Kurti dhe Ahmeti janë takuar me zyrtarë të institucioneve të Unionit, si dhe me zyrtarë të shtetit belg, ku temë e takimeve ishin situata politike në Kosovë e rajon, bashkëpunimi në mes të Kosovës, BE-së dhe Belgjikës, si dhe qëndrimet e kësaj lëvizje në lidhje me sfidat politike dhe socio-ekonomike të Kosovës.

Gjatë ditës së parë të vizitës, dy drejtuesit e “Vetëvendosjes” u takuan me deputetë të Parlamentit Evropian, përfaqësues të delegacionit për marrëdhënie me Shqipërinë, Kosovën, BeH-në, Malin e Zi dhe Serbinë: Eduard Kukan (eurodeputet, kryetar i delegacionit), Tanja Fajon (eurodeputete, raportuese për liberalizimin e vizave në Ballkanin perëndimor), dhe Ulrike Lunacek (eurodeputete, raportuese për Republikën e Kosovës).

Sipas njoftimit të “Vetëvendosje”-s, Kurti dhe Ahmeti shpalosën idetë e tyre mbi bërjen e Kosovës shtet i së drejtës dhe shtet i zhvillimit, ndërsa dëgjuan nga eurodeputetët qëndrimet e tyre mbi zhvillimet e fundit në Kosovë.

Eurodeputetët u njohën me shqetësimet dhe kundërshtimin e tyre me marrëveshjen e fundit të për përfaqësimin e Kosovës me fusnotë, si dhe për koncesionet e vazhdueshme që qeveria e Thaçit po ia bën Serbisë.

SHPËRNDAJE