Dr. Shefqet KRASNIQI

 

Debati rreth filmit i cili fyen rëndë personalitetin e profetit Muhamed [alejhiselam] vazhdon edhe më tej, ashtu siç vazhdojnë edhe reagimet e shumta gjithandej nëpër botë kundër këtij filmi, duke kërkuar nga qeveri dhe kompani të ndryshme që mos ta lejojnë publikimin e tij si dhe t’i ruajnë ndjenjat e myslimanëve.

Në nivel global, debati u zhvillua shumë edhe mbi botëkuptimin thelbësor të së drejtës së shprehjes, se ajo a është aq e lirë saqë edhe nëse përdoret për të sharë e për të ofenduar, prapë merret si e drejtë. Sigurisht, këtë diskutim, me këtë natyrë, e imponuan reagimet e myslimanëve. Ndërsa në rastin tonë, pra në nivel lokal, diskutimi më shumë u përqendrua tek ajo se pse nuk pati reagime se sa për çështje tjera. Do të preferoja të filloj me këtë të fundit, për tu kthyer më pas edhe tek e drejta e shprehjes.

Mediet kosovare këto ditë, përkundër faktit se në botë ndodhnin ngjarje të mëdha, të karakterit global, pati reagime në pothuaj tërë botën kundër një filmi që fyente figurën e Muhammedit [alejhiselam], nuk patën shumë punë. Ato mjaftuan me publikimin vetëm të atyre lajmeve, gjë që paraqiti një shqetësim për to. Disa nga to sikurse i brengosi fakti se pse nuk pati protesta në Kosovë dhe hulumtuan shumë që ta gjejnë këtë përgjigje. Dyshojm se, jo pse duan t’i dalin në mbrojtje atij njeriu të madh, porse, si lajm kryesor që është bërë në tërë botën, pse të mos jetë edhe në Kosovë. Donin që edhe ne myslimanët, si shumicë absolute në këtë vend, të protestojmë, e t’iu japin atyre arsye për t’i mbushur faqet e gazetave dhe për ta gjetur edhe një shkas shtesë për t’i akuzuar myslimanët si antiperëndimorë dhe antidemokratë. Mirëpo, fatmirësisht, edhe kësaj radhe, sikurse edhe më herët mundi iu shkoi huq. Ne e dimë pse nuk çohemi në protesta, jo pse nuk e duam Muhamedin [alejhiselam], jo, Zoti mos e dhëntë, sepse ne atë e kemi në shpirt, bile më të dashur se shpirtin dhe zemrat tona, më të dashur sesa vetveten tonë. Porse me protesta ne e dimë që nuk i ndihmojmë Profetit tonë, nuk i ndihmojmë Islamit tonë, nuk i ndihmojmë shoqërisë sonë, vendit dhe shtetit tonë. Secila  shoqëri, secili vend i ka rrethanat dhe specifikat e veta. Islami është fe e mençur dhe për të mençur, andaj edhe myslimanët duhet të jenë të mençur. Ne më shumë i ndihmojmë Islamit nëse çohemi në protesta kundër  qeverisë sonë e cila po i shkel të drejtat e myslimanëve, në veçanti të femrës, në mënyrë brutale. Po hahet djersa e popullit, nuk po luftohet sa duhet korrupsioni, krimi i organizuar dhe shumë dukuri tjera negative. Dukuri këto të cilat për çdo ditë e më shumë po e dëmtojnë shoqërinë tonë. Po pasurohen individë në mënyrë të paligjshme, e po varfërohet një shoqëri e plotë. Kështu, kam bindjen, i ndihmojmë më shumë këtij populli, se sa që i ndihmojmë për të protestuar për mos ta sharë e fyer apo shpifur ndaj Profetin Islam. Ngase të çuarit e shoqërisë para, të punuarit për shtet, garantimi i të drejtave qytetarëve,  janë ndihmë Islamit, është çuarje e Islamit para. Kjo, ngase ‘Islam’ nuk është vetëm të deklaruarit se je musliman dhe kryen disa rite fetare, por gjithashtu është edhe  kontribut në shoqëri, luftim i dukurive negative, etj. Dhe po të ishte Profeti alejhiselam gjallë, me siguri se do ta gëzonte më shumë kjo që cekëm më lartë, sesa protestat duke gjuajtur gurë e djegur objekte deri te derdhja e gjakut.

Për të mos u keqkuptuar, ne nuk jemi kundër protestave, siç e kam cekur më parë, por jo edhe të këtyre të dhunshme, që vijnë ndeshë me etikën dhe moralin e atij që i tëri ishte moral. Vendi ynë nuk ka nevojë për protesta, ka nevojë për punë të mëdha. Ka nevojë për t’i ruajtur miqësitë e mira që i kemi krijuar me shumë shtete perëndimore, sepse fundja, gjeografikisht, jemi pjesë e kësaj Evrope dhe këtij perëndimi. Mirëpo si shumë herë, disa media kërkojnë diçka çka tërheq vëmendjen e lexuesve, qoftë edhe negative, me rëndësi është që t’i shesin gazetat dhe t’i tërheqin shikuesit e lexuesit, sidomos kur objekt lajmi janë Islami dhe myslimanët.

Ndërsa, sa i përket çështjes së lirisë së shprehjes, ajo është një temë shumë e gjerë, shumë e përfolur. Por unë kisha me e thjeshtësuar me një fjali: liri absolute nuk ka. Liria absolute i takon të çmendurve. Atyre nuk ju shihet për të madhe çka do që të flasin. Ndërsa për njerëzit e mençur, ajo ka kufi. Ka kufi me logjikë të shëndoshë, sepse nuk është normale, ta zëmë, me ia sha tjetrit gruan apo nënën, ngase ai e ndien vetën të fyer. E në momentin që tjetri e ndien vetën të fyer, atëherë numërohet se i kalove normat e kodit moral. Andaj edhe nga ana ligjore kjo liri është e kushtëzuar edhe në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Politike dhe Civile (KNDPC).

Kjo liri ka kufi edhe për nga sheriati sepse Allahu na ndalon që t’i fyejmë e t’i shajmë zotat e atyre që adhurojnë jomyslimanët:

Ju mos ua shani ata (zota) që u luten (idhujtarët), pos All-llahut…”(el-Enamë:108).

Andaj secili duhet t’i respekton të tjerët, gjegjësisht tua ruaj ndjenjat e të tjerëve. Askush nuk mund ta ndal askënd të flas me fakte dhe argumente, për ta treguar të vërtetën që ai mendon se është e vërtetë dhe për ta demantuar mendimin apo idenë e tjetrit, por, gjithherë në suaza të një dialogu konstruktiv, polemike shkencore, debati civilizues, e jo me fyerje e përqeshje, e shpifje sidomos nëse në pyetje janë çështje fetare.

SHPËRNDAJE