KUR FLITET ME VOTE

Nga Mimoza DERVISHI

Sot, 20 vjet pas përmbysjes së regjimit, fitorja historike e socialistëve në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë, është si një lloj përmbysjeje tjetër regjimi. Atij regjimi që shkurt është etiketuar nga bota perëndimore me dy fjalë: “regjim hibrid”. Në mos të jetë përmbysur krejt, është tronditur seriozisht.

Ka fituar morali qytetar, një standard i rëndësishëm, që shumë herë, për shkak të vjedhjes së votës së shqiptarëve, më së shumti nga Sali Berisha, mendonim se gati po zhdukej ose ishte aq i tulatur sa nuk bënte dot ndryshimin. Shqiptarët treguan se nuk mund ta durojnë dot arrogancën kur vjedh dhe vrasjen kur kapesh me presh në duar. Shqiptarët gjithashtu kanë zgjedhur liderin e tyre, duke votuar unikalisht, si kurrë më parë në historinë e Partisë Socialiste, për Edi Ramën.

Edi Rama është politikani më i votuar sot në Shqipëri, por kjo nuk është merita e vetme dhe kryesore. Ajo që e veçon nga gjithë ata që kanë qenë në pozicionin e tij apo përballë tij, ose më saktë nga të gjithë ata që vuri para, është se ai ka marrë më shumë risqe dhe përgjegjësi politike mbi vete se askush në historinë e Shqipërisë.

Mjaft të kujtoni se Sali Berisha ka vënë kandidaturën e tij ose në Kavajë kur ndihej i sigurt, dhe kur Kavaja nuk i mjaftonte, përdorte Tiranën gjithmonë si i pari i listës. E njëjta gjë me ish-kryetarin e PS-së apo kryetarë të tjerë që sot s’kanë asnjë peshë politike. Askush prej tyre s’ka treguar ndonjëherë guximin të përplaset dhe të provohet personalisht në gara të mëdha, ballë për ballë. Politikanët, kjo i dallon nga njerëzit e zakonshëm, marrja në kurriz e risqeve, jo kush bën poza më të bukura.

Tirana nuk votoi ndryshe nga Shqipëria, Tirana votoi njësoj si Shqipëria, duke i dhënë Ramës mijëra vota më shumë se në 2007-n. Se ku i gjeti votat Lulzim Basha, konkluzionet i kanë nxjerrë vetë shqiptarët, duke parë maskaradën e gjatë të numërimit. Por para se të arrinim te të fundmet përpjekje të dëshpëruara të pushtetit, njerëzit tani kanë kuptuar aq mirë transferimin e gjithë kontingjentit lëvizëz, nga një ministër i Brendshëm që ka në dorë jetën e njerëzve, numrat e telefonit, e-mail-et, adresat, ditëlindjet e gjithçka tjetër. Të gjitha u denoncuan në media me fakte dhe dokumente, por tani e kuptojmë më mirë se ç’paskan bërë.

Meqë ra fjala dhe unë u atakova nga e-mail-et e Lul Bashës dhe ju siguroj maksimalisht që nuk ia kam dhënë e-mail-in tim, po ashtu nuk kam llogari në “Facebook”. E vetmja herë kur unë jam regjistruar në një fushatë politike, ka qenë për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara në 2008-n dhe kur me kënaqësi prisja dhe lexoja çdo e-mail që më vinte nga shtabi i fushatës. Se ka dhe një kuptim kjo puna e e-mail-eve, u dërgohet atyre që duan të jenë pjesë e fushatës tënde. Tani imagjinoni kur kanë në dorëzim dhe e-mail-in tim, që e kam shpallur publikisht vlerësimin tim për këtë kandidat, se sa thellë ka hyrë ky njeri në jetën personale të gjithkujt, e sidomos të atyre që punojnë në administratë e jetojnë në Tiranë.

Mendoj se hetimi i votave të Tiranës do të jetë edhe më interesant se hetimi i votave të 29 qershorit 2009. E sidomos në 2013-n do ta marrim vesh nëse kemi kaq votues në kryeqytet. Dhe investigimi duhet bërë. Sepse sot, besoj që pavarësisht se nuk u hapën kurrë kutitë që opozita kërkoi për dy vjet me radhë, pikërisht ajo luftë e pandalshme bëri të mundur që vota të numërohej faqe të gjithëve.

Sistemi i përçudnimit të votës në Tiranë kur shteti, pushteti dhe gjithë bataku i politikës shqiptare u bë bashkë kundër Edi Ramës, është pa diskutim një temë e gjatë analizash dhe komentesh, që nuk mund të kalohet me britmat entuziaste të analistëve të djathtë për diferencë kaq të ngushtë. Për asnjë sekondë nuk besoj se ishte e ngushtë. Nuk ka sot asnjë mundësi reale, kur një Shqipëri e tërë, nga skutat më të thella të Veriut e të Jugut, voton kundër atyre që gjakosën Bulevardin e Tiranës, dhe tiranasit, ata që e panë dhe jetuan “live” tronditjen dhe masakrën shtetërore, të votonin për buzëqeshjen false të një kandidati të montuar, që si një këngëtar(e) me superpozim, nuk pranoi të bëjë asgjë “live” gjatë fushatës së tij.

E prirur gjithashtu, të respektoj atë që u lexua faqe të gjithëve, them se triumfi politik, zgjedhor dhe moral është i Edi Ramës dhe opozitës. Nuk mund të jetë fitues moral, një kandidat që kishte gjithë shtetin me vete dhe që në fund të ditës edhe humbi. Për të gjithë ata që nuk e dinë akoma, fituesi ndahet dhe me një votë dhe rëndësi ka kush merr çelësat e zyrës për të cilën lufton. Po të kishte dy emra fitorja, atë të dytin le ta mbajë Lulzim Basha.

Lajmi i madh është që pushteti nuk ia arriti dot të “eliminonte” kryetarin e opozitës, paçka se në Tiranë u transportua gjithë makineria manipuluese e votave që ndryshe mund të përshkruhet si “emigrimi” i madh drejt kryeqytetit. Sali Berishës kësaj radhe i duheshin edhe votat e familjes Hoxha për të rrëzuar Edi Ramën, sepse “emigrantët” që solli me avion apo me qerre, nuk i mjaftonin. Duke i bërë kështu demokratët gazin e botës, tek u shndrinte fytyra sa herë shihnin një votë prokomuniste.

Në një palë zgjedhje ka shumë për t’u analizuar dhe reflektuar, por më në hall janë të djathtët, të cilët kur panë që po dilnin jashtë dyerve të bashkive të mëdha të Shqipërisë, shpikën argumentin e votave popullore. Bëjnë sikur harrojnë që këto janë zgjedhje për kryetarë komunash e bashkish dhe votat popullore nuk kanë si të jenë pjesë e analizës. Argumenti i vetëm është kush do të qeverisë në pjesën më të madhe të Shqipërisë. Pikërisht aty ku është përqendruar e gjithë forca punëtore dhe ekonomia e vendit. Dhe mos u habisni kur në studiot e televizioneve proqeveritare të ndiqni analiza për komuna që s’ua kemi dëgjuar emrin dhe të harrohet të bëhet analiza e gjithë qyteteve të mëdha të Shqipërisë. Njësoj siç u morën me sondazhin e Gani Bobit. (Nuk e imagjinoj dot se si ky emër të jetë një njeri real, ka tre vjet që duket më shumë si pseudonim).

Ideja tjetër e mbivendosjes së pushteteve është një argument luksi në një Shqipëri të drobitur, me një opozitë të persekutuar tash dy vjet, dhe për më tepër me një Kryeministër që ka në dorë gjithë pushtetet e mundshme, ose kur kujton se nuk i ka i nxjerrë të gjithë puçista. Ky argument nuk bën asgjë tjetër, veçse lartëson Edi Ramën, për risqet që mori mbi vete. Imagjinoni për një çast sikur të mos kandidonte për Bashkinë e Tiranës dhe i ulur qetë-qetë në kolltuk, të shihte sesi në krye të PS-së fitonte gjithë Shqipërinë. A nuk do kishte luks më të madh për të? Por opozita dhe Rama nuk kishte rrugë tjetër dhe pushteti nuk i la shteg tjetër. Dhe jam e sigurt që, nëse nuk do të kishte kandiduar, do të ishte sulmuar sot më shume se më parë, sepse në një Shqipëri që mbisundohet nga mediat e pushtetit, çdo gjë që bën Edi Rama, është e paragjykuar dhe gjykohet për keq. Madje po duan t’i zbehin dhe fitoren, e përmasave spektakolare në gjithë Shqipërinë për nga shtrirja, dhe në Tiranë për nga lloji. Por nuk është as për t’u habitur, as për të pritur më shumë në një vend ku edhe pushtetin e katërt me shumicë e ka në dorë pushteti politik. Dhe këtu gjej vend
t’i kthehem intervistës së ambasadorit amerikan për VOA-n, që kur u pyet në ka demokraci në Shqipëri, tha, po, ka, sepse ka “Top Channel”. Nuk kam lumturi më të madhe sesa të shpreh mirënjohjen për krijesën e Dritan Hoxhës, një institucion mediatik për të cilin duhet të jenë krenarë, jo vetëm ata që punojnë aty, por çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike.

Trupa e “Top Channel” është vatra më perfekte që mund të gjesh sot, në një media edhe përtej Shqipërisë. Nuk e bëj dot krahasimin me askënd tjetër brenda atyre kufijve në fakt. Dhe mjafton vetëm momenti i fundit kur ishte në lojë jo vetëm Tirana, por gjithë Shqipëria, korrektësia dhe profesionalizmi i kësaj media, bëri të mundur jo vetëm rezultatin perfekt, por parandaloi dhe atë që mund të kishte shkaktuar të paparashikueshmen mes militantësh. Absolutisht asnjë televizion tjetër nuk i korrigjoi shifrat për një kohë mjaft të gjatë dhe kjo është e pafalshme. Të reklamoje shifrat e KQZ-së në këto zgjedhje, ishte njësoj sikur t’i merrje ato nga shtabi i Bashës.

Kur më duhej të kontrolloja nëpër televizione të tjera, (sa herë “Top”-i shkonte në publicitet), dëgjoja vetëmburrje të çuditshme dhe gati habi të drejtuesve të ndryshëm se sa mirë po ndiqnin procesin e numërimit. Po ç’mund të bësh tjetër në fakt, kur ka zgjedhje dhe procese të tilla delikate dhe kur profesioni yt të ka vënë para mikrofonin dhe kamerën? Ah, po, për shembull në një moment kur fati i Tiranës pritej të zyrtarizohej dhe të gjithë ishin ende në ankth për të marrë vesh se ç’po ndodhte, në një TV qeveritare pashë që jepej një “show” që quhej “Gjeniu i vogël”. Mesa duket, televizioni filloi menjëherë të mendonte për të ardhmen se “gjenitë” e mëdhenj aq e patën.

Por falënderimi për “Top Channel” vjen edhe për një fakt tjetër, që kurrë nuk ra preh e simetrisë ku donin ta shtynin, me ndonjë kanal tjetër aq pro pushtetit, sa është turp të tregohet me fjalë. Profesionalizmi nuk ka simetri partiake. Dhe “Top Channel” qëndron në krahun e profesionalizmit. Ndaj nuk kishte si të ndodhte ndryshe që lajmin më të saktë, nga fillimi deri në fund, arritëm ta marrim vetëm përmes kësaj media, madje vetëm këtu u zbuluan dhe ato gabime të ashtuquajtura “njerëzore” të KQZ. Jo, Sokol Balla dhe stafi i tij nuk bëri asnjë gabim, përkundrazi, ndihmoi dhe korrektoi aty ku gabimi “njerëzor” i një arroganti deri në halabakëri si Ristani, mund të kishte shpallur tjetër fitues sot. Në lëmin mediatik, këto zgjedhje nuk bënë gjë tjetër, veçse thelluan distancën mes “Top Channel” dhe gjithë të tjerëve.

Në lëmin politik, ato provuan edhe një herë thelbin e tyre: që nuk ishte Edi Rama përballë Lulzim Bashës, por Edi Rama përballë Sali Berishës. Aq i dëshpëruar ishte Kryeministri për të marrë Tiranën, sa u duk se harroi që sapo kishte humbur Shqipërinë. Tirana do t’i mjaftonte të shpallte fitoren. Kjo tregon dhe një herë se çfarë lloj beteje ishte kjo e Tiranës duke përmbysur mesazhin njëmujor të fushatës së pushtetit, se kjo ishte një garë thjesht lokale. Po kurrë s’kemi parë më parë, që për një garë lokale, të vihet në dispozicion i gjithë shteti, policia dhe makineria e pushtetit. E aq më pak kemi parë një impenjim maksimal, jo vetëm të publikut që për shtatë ditë rresht ndoqi maskaradën e prodhuar nga selia e PD-së, por ngriti nga buka dhe nga gjumi, duke ulur në stolin e rreptë të arbitrit ndërkombëtar, çdo diplomat të rëndësishëm të Tiranës.

Sigurisht që kjo fushatë nuk i shpëton dot ngjyrimit analitik se lojërat politike u bënë nga të dyja palët. Kjo është diçka mjaft kompleksive për t’u thënë, që nuk të bën të paanshëm, sepse është krejt e pavërtetë. Loja ishte përgatitur vetëm nga PD-ja dhe fakti që njësia 5 u bë strumbullari i gjthçkaje, flet në volum. Për të gjithë ata, që quajnë lojëra faktin që PS-ja ishte gati në paranojë për çdo votë, le të kujtojnë pak votat e 2009-s, të djegura maskarisht në Erzen.

Këto zgjedhje ishin referendare dhe shqiptarët folën si të thirrur në referendum. Ka fituar Edi Rama dhe Partia Socialiste me aleatët e saj. Ka humbur Sali Berisha bashkë me Partinë Komuniste.

P.S: Sa për Lulzim Bashën, pasi adrenalina të bjerë, Berisha do kuptojë që ishte një investim maksimal, më i madhi që ka bërë ndonjëherë në jetën e tij për një person tjetër brenda Partisë Demokratike… dhe që i shkoi dëm. Bëni kujdes të ndiqni karrierën e mëtejshme të Bashës dhe kujtohuni se kur dikush afër Berishës “merr kot”, bëhet më popullor sa duhet, me buzëqeshje babaxhani, me flokë të zeza, me apo pa balluke… fundi dihet. Edhe president i Shqipërisë mund të bëhesh, por katandisesh thjesht në një shpërndarës dekoratash.(SHQIP)


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni