Kur celulari bëhet armë

Dy gazetarë të rinj në Nju-Delhi nuk duan ta durojnë më dhunën kundër gruas dhe kanë krijuar një smart-phone-app, me anë të të cilit gratë mund të mbrohen.
Nju-Delhi nuk është vetëm kryeqyteti i Indisë, po edhe kryeqyteti i krimit në Indi. Në asnjë metropol tjetër të demokracisë më të madhe të botës nuk ka më shumë dhunë kundër grave. Sipas të dhënave të policisë një ndër katër dhunime në Indi ndodhin në Nju-Delhi. Dy gazetarë të rinj nuk duan ta durojnë më dhunën kundër gruas dhe kanë krijuar një smart-phone-app, me anë të të cilit gratë mund të mbrohen. “Siguria e grave është një temë shumë e nxehtë. Por në vend që të veprojnë, policia dhe qeveria ia hedhin fajin njëra-tjetrës. Indiferentizmi i qeverisë është shumë zhgënjyes. Kështu që ne jemi kujdesur për këtë çështje në mënyrën tonë, sepse ne besojmë te teknologjia.“
Ata janë Shceta Punj dhe Hindol Sengupta. Të dy në fillim të të 30-tave, të dy gezetare, të dy të rritur në Nju-Delhi. Para pesë vjetësh ata kanë krijuar së bashku platformën e hapur të internetit Whypoll, për të diskutuar temat e anashkaluara sociale dhe politike. Me ndihmën e aplikacionit për smart phone Fight back ata duan të bëjnë të dukshme dhunën e përditshme kundër grave. App-i mund të shkarkohet për 100 rupie në vit nga faqja e Whypoll-it. Këto janë më pak se 1,50 euro.
„E zëmë se del në mbrëmje. Sapo del nga shtëpia aktivizon app-in. Dhe pavarësisht se ku shkon, i dërgon përmes app-it sinjale GPS-i dhe përmes tyre mund të gjejnë, se ku ndodhesh. Në qoftë se ti je në vështirësi, atëherë duhet vetëm të shtypësh këtë buton dhe për pesë sekonda app-i u dërgon pesë mesazhe me tekst dhe 5 emaile të afërmve dhe miqve, që ti i ke të regjistruar. Përveç kësaj shfaqet edhe një alarm në faqen tënde të Facebook-ut, që mund ta shohin të gjithë miqtë e tu. Të gjithë mund të shohin prej të dhënave të tua GPS, se ku ndodhesh në atë moment.”

Fight Back App ekziston prej një viti, por vetëm disa qindra gra e përdorin

„Për një gjë të tillë duhet kohë dhe para. Rrugëtimi ynë sapo ka filluar. Nëse aplikacioni ynë do të bëhet aq i kërkuar, siç dëshirojmë, atëherë kjo do të ushrojë presion mbi qeverinë dhe policinë. Atëherë autoritetet në Nju-Delhi do ta marrin temën më në fund seriozisht. Dhe kjo shton edhe presionin mbi autorët, të cilët gati gjithmonë shpëtojnë pa u dënuar.”
Kjo është një përpjekje për të ndryshuar shoqërinë indiane përmes mobilizimit dhe involvimit të sa më shumë njerëzve. Një version i ri i Fight back është në përpunim, me qëllim që edhe gratë të mund të përdorin teknikën me celularë të thjeshtë. Dhe dikur, kështu është ideja, app-i duhet të funksionojë edhe në fshat, ku jeton ende shumica e popullsisë indiane.„Ne duhet të mbështetemi te teknologjia, në qoftë se duam të përballojmë sfidat e mëdha sociale, para të cilave ndodhemi ne si shoqëri.“
Shoqëria indiane është ende shumë e dominuar nga meshkujt dhe shumë konservatore. Dhuna në familje, ngacmimi seksual, dhunimet dhe shtypja sistematike janë përvoja të përditshme të gjinisë femërore, por të fshehura, sepse shumë pak raste bëhen publike.
“Në Indi sundon një kulturë e mungesës së ligjit. Në qoftë se duam të ndryshojmë sjelljen e burrave, duhet t’ua fusim frikën.” DW


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni