(AIK-Presheva Jone)

 

Policia e Kumanovës ka gjetur paratë që ishin vjedhur disa ditë më parë nga grabitja e armatosur në këmbimoren “Daj – Dam”, me ç`rast u vra pronari i këmbimores.

Sipas njoftimit të policisë, paratë janë gjetur në një shtëpi në afërsi të Spitalit të Kumanovës. Pas kryerjes së bastisjes nga ana e njësitit policor “Alfa” janë gjetur 40 mijë eurot e grabitura në ambientet e shtëpisë.

Policia nuk ka dhënë detaje se a është arrestuar pronari i shtëpisë ku po fshiheshin paratë. Për grabitjen dhe vrasjen e pronarit të këmbimores Branko Petrushevski janë arrestuar dy persona Ramiz. Z dhe L.S nga Kumanova, të moshave rreth 22 vjeç.

Ramiz Z. u zbulua dhe u arrestua nga policia, pasi që celulari i tij u gjet para këmbimores. Ai para organeve policore ka pranuar vrasjen, por nuk ka dhënë hollësi se ku ishin fshehur paratë. Janë arrestuar edhe persona të tjerë me dyshimin për pjesëmarrje në këtë grabitje që rezultoi me një viktimë gjatë fundjavës së kaluar, pasi që pronari i këmbimores kishte arritur në mëngjes në këmbimoren e tij për të filluar punën.

SHPËRNDAJE