“Nuk është i pamundur ndryshimi i qëndrimit të Sllovakisë karshi pavarësisë së Kosovës”, ka thënë eurodeputeti sllovak, Eduard Kukan. Në një intervistë për mediet, ai i ka vlerësuar pozitivisht marrëveshjet e arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë ka theksuar se braktisja e bisedimeve do të ishte një vendim tejet i keq. Kukan ka shtuar se çdo marrëveshje dhe përparim në dialog në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ketë efekt pozitiv në procesin e liberalizimit të vizave. Eurodeputeti sllovak Kukan ka theksuar se bazuar në zhvillimet e brendshme që janë duke ndodhur në Kosovë nuk është e pamundur që shteti i tij të ndryshojë qëndrimin karshi pavarësisë së Kosovës.

“Sllovakia është duke përcjellë procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nuk është e pamundur që Sllovakia të ndryshoj mendim por do të ishte jo reale që të pritej që kjo të ndodhte tani apo në një të ardhme të afërt” ka thënë Kukan.

Ndërkohë, duke i komentuar zërat opozitarë si në Kosovë ashtu edhe në Serbi që kërkojnë braktisjen e bisedimeve, deputeti i Parlamentit Evropian thekson se një vendim i tillë do të kishte efekt negativ në rrugën evropiane dhe imazhin e të dyja vendeve.

“Ky do ishte një vendim tepër i keq. Unë besoj se një veprim i tillë do të dëmtonte të dyja palët. Unë mund ta them shumë qartë dhe shkurt se veprimet e tilla do ta dëmtonin imazhin dhe pozicionin e të dyja palëve në Evropë, në Parlamentin Evropian, Komisionin Evropian dhe Këshillin e Evropës. Shpresoj shumë që thirrjet për braktisje të bisedimeve nuk do të ndodhin. Ky do të ishte një sinjal tejet, tejet i keq për ambicien evropiane të të dyja vendeve”, tha ai.

Eurodeputeti slloven ka paralajmëruar se Kosovën do ta njohin edhe një numër shtetesh tash pas deklarimit të Pavarësisë së Sudanit Jugor.

SHPËRNDAJE