Prishtinë, 11 prill

Pas takimit të liderit të UDSH-së z.Rahmi Zulfiut javën e kaluar me zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Drejtësisë, sot Hajredin Kuçi,ka pritur në takim Kryetarin e Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa dhe Nënkryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifin.

Në këtë takim në të cilin u bisedua për zhvillimet politike në Kosovës dhe Luginë të Preshevës, Zëvendëskryeministri Kuçi tha ngjashëm sikur javën e kaluar se Qeveria e Kosovës do të mbështes shqiptarët e Luginës së Preshevës për të drejtat e tyre qytetare dhe njerëzore, por edhe ato që kanë të bëjnë me identitetin nacional.

“Ne jemi te gatshëm që të mbështesim Luginën e Preshevës, shqiptarët atje dhe jemi të gatshëm që t’i trajtojmë shqiptarët atje si urë lidhëse për raportet tona korrekte që duhet t’i kemi në mes dy shteteve tona. Natyrisht e dimë sa është e rëndë të jetohet në atë ambient, por bashkëpunimi ynë, kohezioni ynë nacional, por edhe mbështetja ndërkombëtare, do të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes në atë pjesë, në kuptimin më pozitiv të mundur”, theksoi Kuçi, njofton Bota Sot.

Sipas Zëvendëskryeministrit Kuçi, Qeveria e Kosovës do të angazhohet për zvogëlimin e çmimit të polisave të sigurimeve kufitar për shqiptaret e Luginës së Preshevës, po ashtu sipas tij, për aq sa përputhen programet arsimore të arsimit fillor, nxënësve shqiptarë të Luginës do t’ju shpërndahen libra falas, si dhe do të punohet për përshpejtim të procedurave për marrjen e diplomave nga studentët Luginës.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, thanë se Zëvendëskryeministrin Kuçi e kanë njoftuar me gjendjen dhe problemet me të cilat ballafaqohen shqiptaret e Luginës së Preshevës.

Ata vlerësuan interesimin e vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës për një jetë më të mirë për shqiptaret e Luginës së Preshevës.

Ndërsa thanë së Serbia po vazhdon me politikat e saja duke anashkaluar Luginën e Preshevës dhe me këtë sipas tyre, po tentohet që në mënyrë të heshtur të bëhet shpërngulja e shqiptareve nga Lugina.

Po ashtu, ata shprehen mirënjohjen e tyre për gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për sigurimin falas të teksteve arsimore të arsimit fillor dhe për premtimin e marrë nga Zëvendëskryeministri Kuçi, për masat që do të merren për polisat e sigurimeve.

Si pozitive kanë vlerësuar edhe njohjen reciproke të diplomave të arritur në bisedimet teknike në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

SHPËRNDAJE