Kuçi: Kosova në BE pas vitit 2020

Kosova nuk mund të shpresoj të hyjë në Bashkimin Evropian deri pas vitit 2020. Profesor Hajredin Kuçi, tha sot se do të ishte i lumtur nëse do të hyjmë në BE pas vitit 2020 dhe nëse liberalizimi i vizave të ndodhë brenda tri viteve. Ai i bëri këto komente në një ligjëratë para studentëve të Kolegjit Universitar ISPE, me temën “Raportet Kosovë – Bashkimi Evropian”.
Profesor Hajredin Kuçi, tha se anëtarësimin e Kosovës për në Bashkimin Evropian, apo procesin e liberalizimit të vizave, nuk mund ta garantojë askush deri në momentin e fundit, pasi janë pesë shtetet anëtare, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën. Mjafton që vetëm njëri shtet mund të vë të drejtën e vetos dhe i tërë procesi mund të bllokohet, tha Kuçi para studentëve.
“Në vitin 2004 pata deklaruar për media unë e kam thënë se do të isha i lumtur të hyjmë në BE në vitin 2014 dhe jam kritikuar për këtë. Tani po them do të isha i lumtur të hyjmë ne BE pas vitit 2020 dhe unë e di që do të kritikohem. Unë jam pak më i lirë tash me folë. Procesi i liberalizimit të vizave askund nuk ka shkuar më shumë se një vit, mesatarja shkon deri në tre vjet dhe nëse do të ishte në mesin e këtyre dyjave, unë jam i kënaqur. Për proceset integruese nuk janë shumë”, tha Kuçi.
Kuçi tha se një nga proceset kryesore është raporti mes vendeve të rajonit, duke shtuar se BE-ja nuk pranon shtete që kanë çështje të paqarta dhe të pazgjidhura mes vete. Ai tha se në këtë drejtim duhet të rregullohen raportet me vendet e rajonit.
“Problemi ynë me BE-në është fakti që pesë shtete anëtare nuk e kanë njohur ende Kosovën. Mendimi personal për të hyrë në BE është që të hyjmë si bllok si rajon. Ose secili prej nesh që hyn i pari në BE të vejë dy kushte: që të njohim njëri-tjetrin në kuptimin e sovranitetit dhe tërësisë territoriale si dhe të garantojmë që të mos e vejmë të drejtën e vetos fqinjit tjetër”, tha Kuçi.
Gjatë ligjëratës së tij, profesor Kuçi u tregoi studentëve hapat konkret që janë ndërmarrë për procesin e liberalizimit të vizave. Ai tha nëse arrin Kosova të plotësoj të gjitha kushtet dhe të bëjë të gjitha detyrat që i janë caktuar, atëherë janë shtetet anëtare të BE-së , nëse janë të gatshme të pranojnë dikë tjetër në familjen e tyre. Ekziston frika nëse Bashkimi Evropian është ngopur, tha Kuçi në ligjëratën e tij.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni