Kamberi ka shprehur mirënjohjen e Komunës së Bujanocit për angazhimet e Qeverisë së Kosovës që shkojnë në favor të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ndërsa ka shprehur  shqetësimin e tij lidhur me situatën e përgjithshme në Serbi dhe për zhvillimet që mund të ndodhin atje.

 

Prishtinë, 13 prill 2012

Pas takimeve të zhvilluara me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës dhe premtimit se do të punohet për t’i dalë në ndihmë shqiptarëve të këtyre trevave, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga Bordi i drejtorëve të Byrosë Kosovare të Sigurimeve që të lehtësojnë dhe zvogëlojnë shumat për taksa kufitare për automjetet e regjistruara në Serbi.

Po ashtu, nga Ministria e Arsimit është kërkuar ofrimi falas i librave shkollorë të ciklit nga klasa I – IX, sipas sistemit arsimor të aplikuar në tri komunat shqiptare të Luginës së Preshevës, si dhe mundësia e përshpejtimit të dhënies së diplomave për të diplomuarit e Luginës së Preshevës, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.

Kuçi është takuar sot në Prishtinë me kryetarin e Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, me ç’rast është biseduar për zhvillimet politike në Kosovës dhe Luginë të Preshevës. “Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës kanë bashkëpunim shumë të mirë dhe kanë preokupim të përbashkët për zhvillimet ma të mira dhe më demokratike, në kuptimin më zhvillimor për shqiptarët në Luginën e Preshevës”, thuhet në njoftim të MD-së.

Kamberi ka shprehur mirënjohjen e Komunës së Bujanocit për angazhimet e Qeverisë së Kosovës që shkojnë në favor të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ndërsa ka shprehur  shqetësimin e tij lidhur me situatën e përgjithshme në Serbi dhe për zhvillimet që mund të ndodhin atje. (Koha.Net)

SHPËRNDAJE