Rreth 200 mijë euro, të dhuruara vite më parë për ndërtimin e katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë, dyshohet se janë “zhdukur” nga kontoja bankare e Kishës Katolike. Ndonëse nuk dihen ende emrat e personave si të dyshuar të mundshëm, Prokuroria Publike e Qarkut në Prishtinë, ka intensifikuar hetimet në gjetjen e tyre pas një kallëzimi penal të pranuar nga Ipeshkvia e Kosovës.

Prokurori publik i qarkut, Lulzim Sylejmani, i cili ka në duar dosjen e dorëzuar nga Ipeshkvia, ka konfirmuar nisjen e hetimeve për humbjen e rreth 200 mijë eurove.
“Ipeshkvia e Kosovës ka dorëzuar një kallëzim penal në janar të këtij viti, ku tregon për zhdukjen e rreth 200 mijë eurove, zhdukje kjo e të hollave që ka ngjarë në vitin 2005 deri në vitin 2006”, citohet të ketë thënë, prokurori Sylejmani.

Sipas tij, paratë e humbura kishin qenë donacion për ndërtimin e katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë dhe, si të tilla, kishin qenë të deponuara në Bankën Kreditore të Prishtinës, filiali në Prizren.

SHPËRNDAJE