Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me delegacionin nga Parlamenti i Francës, përkatësisht Grupin e Miqësisë Francë-Kosovë, kryesuar nga Marie-Therese BRUGUIERE, në përbërje të të cilit ishin edhe Jean-François HUMBERT, Jean-Pierre MICHEL e Sebastien RICHARD, të cilët shoqëroheshin edhe nga ambasadori i Francës në Prishtinë, Jean François Fitou.

Pasi u uroi mirëseardhje anëtarëve të delegacionit, kryekuvendari Krasniqi i bëri një vështrim zgjedhjeve në Kosovë, duke theksuar se Kosova ka stabilitet politik dhe institucional. Në vijim ai foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, si dhe për procesin e integrimit të komuniteteve në jetën institucionale dhe shoqërore në Kosovë, sidomos kur është fjala për komunitetin serb. Në këtë vështrim , kreu i legjislativit të vendit përmendi vështirësitë që has komuniteti serb për t’u integruar në institucione, posaçërisht në veri, si pasojë e ndikimit të qarqeve serbe nga Beogradi. Në zgjedhje, tha në vijim Krasniqi, kanë marrë pjesë edhe qytetarët serbë, pos në veri.

Vëmendja e kryetarit Krasniqi u përqendrua edhe në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Në këtë aspekt ai tha: “Presim që edhe 5 vendet tjera të BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës, duke ditur se pavarësia e Kosovës po reflekton stabilitet në Rajon, ndërsa kjo do të ndihmojë edhe në aspektin e liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë”.

Anëtarët e Grupit të Miqësisë Francë-Kosovë e falënderuan kryekuvendarin Krasniqi për këtë pritje, duke premtuar se të gjitha këto shqetësime do të përcillen edhe në Parlamentin e Francës. Ata e informuan z. Krasniqi edhe me takimet tjera që do të kenë gjatë kësaj vizite në Kosovë.

SHPËRNDAJE