Kryesia e PVD-së në mbledhjen e fundit vendosi që  t’i drejtohet Kryesisë së Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë që me 1 mars 2012 për nder të 20 vjetorit të Referendumit të vitit 1992 të mbahet seancë e punës së këtij Kuvendi për të shqyrtuar rrjedhat aktuale politike dhe të sigurisë me ç’rast do të aprovohej deklaratë politike me të cilën në frymën e Referendumit të vitit 1992 dhe Platformës politike të vitit 2006 do të konkretizohen veprimet politike të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës në periudhën vijuese, njofton agjencia informative kombëtare « Presheva Jonë »

 

Preshevë, 15 shkurt/ AIK-Presheva Jonë

Gjithashtu, Kryesia e PVD-së e prirë nga z.Rizaha Hlaimi, deputet, me këtë rast konstatoi se kanë filluar bisedat e para për ndërtimin e koalicionit të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës në bazë të parimit të proporcionalitetit me përfaqësues të partnerëve të koalicioneve të vitit 2007 dhe 2008. Në këtë drejtim u shpreh gadishmëria që të bisedohet edhe me forcat tjera relevante politike të Luginës së Preshevës. Kur dihet se në fillim të marsit do të shpallen zgjedhjet, u potencua se marrëveshja për koalicion duhet të nënshkruhet gjer në fund të shkurtit.

Kur dihet se kryetari i Trupit Koordinues – ministri Markoviq ka caktuar pa kurrfar konsultimi paraprak, mbledhjen e Kryesisë së Trupit Koordinues për ta shqyrtuar situatën në Bujanoc pas vendimit të Kuvendit Komunal të Bujanocit për ndryshimin e emërtimeve të rrugëve dhe shesheve. Kryesia e PVD-së vlerson se Kryesia e e Trupit Koordinues nuk është duke funksionuar një kohë të gjatë në bazë të parimeve të marrëveshjes së 27 marsit 2009, andaj edhe nuk është kompetente për të shqyrtuar këtë temë të ndieshme.

Nëse ekziston gadishmëria e Ministrit të Ministrisë për Pakica Nacionale, Pushtet Lokal dhe Administratë Shtetërore për t’i tejkaluar mosmarrveshjet ekzistuese për këtë problematikë, atëherë ishte dashur që ai të marrë pjesë në takim me udhëheqjen komunale të Bujanocit ku do të merrnin pjesë kryetarët e grupeve të këshilltarëve të Kuvendit Komunal të Bujanocit si dhe kryetari i Këshillit Nacional dhe Deputeti Popullorë, njofton agjencia informative kombëtare « Presheva Jonë »

SHPËRNDAJE