Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, u takua sot në kabinetin e tij me Sulejman Uglanin, ministër pa portfel në Qeverinë e Serbisë. Uglanin është udhëheqës i Zyrës Republikane për zhvillim të qëndrueshëm të rajoneve të pazhvilluar të Serbisë, që bën pjesë në kuadër të Ministrisë pa portfel., njoftton agjencia informative “Presheva Jonë”.
Bujanoc, 26 mars
Ministri Uglanin theksoi se është i kënaqur me bashkëpunimin ederitanishëm me komunën e Bujanocit, me një ekip, “të shkëlqyeshëm, që janë të rinj dhe shumë efikas”, siç u shpreh ai. “Do të vazhdojmë edhe në të ardhmen këtë bashkëpunim me komunën e Bujanocit. Ne do të bashkëfinancojmë hartimin e dokumentacionit teknik për rrugën rajonale në drejtim të Kosovës, me vlerë dy milionë dinarë, e gjithashtu jemi në bisedime si me komunën e Bujanocit dhe gjashtë apo shtatë komunat përreth për të ndihmuar zgjidhjen e problemit të deponisë rajonale”, theksoi pas takimit, Sulejam Uglanin.
 Sipas kryetarit të komunës, Shaip Kamberi, “Zyra për zhvillim të qëndrueshëm do të financojë hartimin e dokumentacionit teknik për ndërtimin e rrugës rajonale Tërnoc – Breznicë, që do të jetë arteria e tretë e lidhjes së komunës së Bujanocit me Kosovën. Sipas Kamberit, me koordinim me këtë ministri dhe Bashkimin Evropian, komuna e Bujanocit do të punojë në zgjidhjen e problemit të deponisë rajonale për menaxhim të integruar të mbeturinave. Ai thotë se komuna e Bujanocit ka hartuar dhe aprovuar strategjinë lokale për menaxhim të mbeturinave, por mungesa e strategjisë rajonale deri më tani është paraqitur si pengesë për zgjidhjen e këtij problemi.

Zyra për zhvillim të qëndrueshëm të rajoneve të pazhvilluar të Serbisë deri më tani ka financuar hartimin e dokumentacioneve teknike për katër projekte të realizuara në komunën e Bujanocit, me vlerë rreth gjashtë milionë dinarë.

SHPËRNDAJE