Kryesia e Partisë Demokratike Shqiptare konsideron se lëshimet e fletë-arresteve ndërkombëtare ndaj luftëtarëve të lirisë, si në Kosovë, ashtu edhe në Luginë të Preshevës janë të planifikuara dhe me motive politike nga ana e institucioneve të Serbisë, që kanë për qëllim destabilizimin e situatës politike dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës, si dhe dëbimin e shqiptarëve dhe të luftëtarëve të lirisë nga Lugina e Preshevës, njfotn ajencia e lajemeve “Presheva Jonë”

Preshevë, 10 janar – Kryesia e Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë, ka reaguar të martën, me rastin e arrestimit të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Partia Demokratike Shqiptare duke shprehur indinjatë të thellë, reagon ashpër ndaj arrestimit të kryer ndaj ish-kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, një javë më parë (më 4 janar 2017) nga autoritetet franceze me fletë-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga Republika e Serbisë. Kryesia e Partisë Demokratike Shqiptare konsideron se lëshimet e fletë-arresteve ndërkombëtare ndaj luftëtarëve të lirisë, si në Kosovë, ashtu edhe në Luginë të Preshevës janë të planifikuara dhe me motive politike nga ana e institucioneve të Serbisë, që kanë për qëllim destabilizimin e situatës politike dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës, si dhe dëbimin e shqiptarëve dhe të luftëtarëve të lirisë nga Lugina e Preshevës. “Institucionet serbe, akoma nuk kanë proceduar dhe ndriçuar rastet e vrasjeve dhe kidnapimeve të qytetarëve shqiptarë në Luginë të Preshevës, të ndodhura që nga viti 1999 e këtej”, thuhet në reagimin e kryesisë së PDSH-së, duke shtuar se “në anën tjetër të njëjtat institucione merren me fletë-arrestime ndërkombëtare ndaj shqiptarëve, duke dëshmuar se nuk kanë gatishmërinë e normalizimit të raporteve ndëretnike shqiptaro-serbe në rajon”. Ndaj, Partia Demokratike Shqiptare apelon tek faktori ndërkombëtar, Ambasada e Francës dhe e BE-së, të akredituara në Beograd, që të reagojnë dhe monitorojnë situatën e krijuar pas këtij arrestimi, të ndikojnë në lirimin e pakusht të z. Ramush Haradinaj, që t`i bëjnë trysni qeverisë së Serbisë dhe institucioneve të saj në tërheqjen e të gjitha fletë-arresteve politike përmes Interpolit ndërkombëtar. “Njëkohësisht të kërkojnë zbardhjen e vrasjeve dhe kidnapimeve të qytetarëve shqiptarë në Luginë të Preshevës, të tëra këto në shërbim të normalizimit të raporteve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, si parakusht për paqe të qëndrueshme në Ballkanin perëndimor”, thuhet në fund të reagimit të kryesisë së Partisë Demokratike Shqiptare, të nënshkruar nga Ragmi Mustafa, kryetar i saj. Metali Krasniqi

SHPËRNDAJE