Krimineli serb Mlladiq arrin në burgun e Hagës

Serbia ekstradoi të dyshuarin për krime lufte në Bosnje Ratko Mlladiq në Hagë, ku do të përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerzimit, përfshrë edhe gjenocid.

Aeroplani me të cilën udhëtonte ish gjenerali Mlladiq mbërriti sot në aeroportin e Rotterdamit nga Beogradi. Më pas ai u transferua autoriteteve të Gjykatës së Hagës për krimet e luftës në ish Jugosllavi.

Një ministër serb tha se qeveria serbe autorizoi ekstradimin e Mlladiqit për në gjykatën e Hagës pasi gjykatësit mohuan apelimin e tij ndaj një vendimi të mëparshëm se 69 vjeçari është në gjendje të pranueshme shëndetësore për t’u ekstraduar në Hagë. Avokatët e tij kishin argumentuar se Mlladiqi është tepër i dobët për të dalë para gjykatës.

Një autokolonë e policisë speciale e çoi Mlladiqin nga gjykata e Beogradit në aeroport.

Sot paradite autoritetet shoqëruan Mlladiqin në varrezat e Beogradit duke e lejuar atë të vizitonte varrin e së bijës Ana e cila kreu vetvrasje në vitin 1994.

Gjykata e Hagës e ka akuzuar ish gjeneralin për urdhërimin në vitin 1995 të masakrës së 8 mijë burrave dhe djemëve në qytetin e Srebrenicës.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni