Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se prania e strukturave të organizuara kriminale në veri, jo vetëm që po rrënon ekonominë e vendit, por po e rrezikon stabilitetin dhe sovranitetin, si dhe jetën e qytetarëve serbë dhe perspektivën e tyre, e cila nuk mund të jetë në barrikada dhe në izolim nga siguria dhe nga perspektiva për jetë të lirë.

“Krimi i organizuar askund nuk ofron siguri, as në pjesën veriore të Kosovës. Ne, si rezultat i një bashkëpunimit të frytshëm me faktorin ndërkombëtar në vend, me forcat e KFOR-it, EULEX-it, por edhe me Brukselin e Uashingtonin, kemi bërë të mundur që jeta në këtë pjesë të vendit të shkojë drejt normalitetit. Ne, jemi të bindur se këto veprime janë duke rrezikuar perspektivën evropiane të dy vendeve tona – të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë”, ka thënë Krasniqi në konferencën e Pestë të Kryetarëve të Parlamenteve të Shteteve të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Budapest.

Ai ka shtuar se falë këtij bashkëpunimi dhe angazhimit për të vendosur sundimin e ligjit dhe të rendit, edhe në veri, Kosova sot dhe qytetarët e saj, janë më të sigurt dhe më të qetë.

“Oferta jonë mbi bazën e Dokumentit Gjithëpërfshirës, i njohur edhe si Dokumenti i Ahtisarit, bashkë me garancinë ndërkombëtare, ka vendosur standarde më të avancuara për të drejtat dhe për liritë e komuniteteve pakicë, dhe jo vetëm për rajonin tonë. Ne, në Kosovë, po ngutemi që të djeshmen e dhimbshme t’ia lëmë historisë, për ta zënë sa më parë hapin për të ardhmen, por këtë nuk mund ta bëjmë pa gatishmërinë e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe pa mbështetjen e përhershme të BE-së dhe të SHBA-së, si garantues të paqes dhe të sigurisë në botë”, është shprehur kryekuvendari Krasniqi.

Ai në fjalimin e tij ka vënë theksin edhe në bashkëpunimin midis vendeve të rajonit në aspektin e sigurisë, duke thënë se në këtë drejtim ka pasur sukses.

SHPËRNDAJE