Musa Ramadani është një nga personalitetet e shquara të letërsisë shqipe që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në shumë zhanre të letërsisë, si në poezi, prozë, dramaturgji, kështu tha sot ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Memli Krasniqi, në ceremoninë e ndarjes së Çmimit Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” për vitin 2011, të cilin ditë më parë juria profesionale ia ka ndarë poetit, prozatorit dhe dramaturgut Musa Ramadani. Po ashtu në këtë ceremoni janë ndarë edhe Çmimet Vjetore për Letërsi në katër zhanre: prozë, poezi, kritikë dhe përkthim.
Në fjalën e tij ministri Krasniqi tha po ashtu se është nder për të që ka rastin ta ndajë këtë çmim. Ai falënderoi jurinë për punën, siç tha, profesionale, në përzgjedhjen e laureatëve të çmimeve për vitin 2011. Ministri vlerësoi lart edhe krijimtarinë e Eqrem Bashës, që i është ndarë çmimi letrar për veprën më të mirë në prozë, Sali Bashotës, për veprën më të mirë në poezi, Adil Ollurit për veprën më të mirë në kritikë si dhe Smajl Smakës për veprën më të mirë në përkthim. Ai tha se MKRS ka për obligim të çmojë krijimtarinë e madhe të shkrimtarëve tanë, por në të njëjtën kohë të përkrahë edhe krijuesit e rinj.
Nga ana e tij, poeti Musa Ramadani tha se ndjehet mirë për këtë nder që i është bërë, për më tepër, siç tha ai, ndjehet mirë që janë vlerësuar edhe krijues tjerë, sidomos ata të rinj. Ramadani vlerësoi punën që po bën ministri Krasniqi. “Mendoj se kjo Ministri, veçanërisht ministri aktual dhe i gjithë ekipi i tij janë njerëz që e njohin artin dhe po përpiqen dhe po bëjnë që jo vetëm të shtohet përqindja e buxhetit për kulturë, sport, rini por edhe të gjejnë mënyra që disa fusha ose shumica të ketë një lloj stimulimi edhe moral edhe material”, ka thënë ai.
Juria e përbërë nga Rifat Ismaili, Engjëll I. Berisha, Qibrie Demiri, Jonuz Fetahaj, Bajram Rugovali ka vlerësuar se poeti dhe prozatori Musa Ramadani me krijimtarinë e vet ka ndikuar në avancimin e kulturës së shkrimit dhe zhvillimin e formave të reja shprehëse që u qëndrojnë pranë veprave të mëdha të letërsisë evropiane. Po ashtu juria vlerëson se Ramadani me veprën e tij shumëdimensionale e përmbushi misionin e krijuesit të përkushtuar, që nëpërmjet artit ta kultivojë dhe afirmojë botën e etnisë në përmasa qytetëruese, njerëzore.
Ndarja e Çmimit Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe Çmimeve Vjetore për Letërsi janë të parapara me një rregullore që mban po këtë emër, e që është nxjerrë në vitin 2009. Këto çmime kanë edhe vlerë financiare. Pesë mijë euro është shpërblimi për laureatin e Çmimit Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore. Ndërkaq për kategoritë tjera, prozë, poezi, përkthim dhe kritikë shpërblimi është 2 mijë e 500 euro.

SHPËRNDAJE