KQZ: Votuan 779.401 veta, apo 47.8 për qind

Prishtine, 12 dhjetor (AIK Presheva Jone/ Bota sot)

Sipas KQZ-së në zgjehhje morën pjesë 779.401 veta me të drejtë vote, përkatësisht 47.8 për qind. Këtij rezultati i mungojnë votat e 22 ekipeve mobile të votimit në Veri, të qendrave të votimit, në Gjilan, një në Prishtinë dhe të disa vendvotimeve të tjera.

Sipas kryetares së KQZ-së, Valdete Daka pjesëmarrja e serbëve ishte mjaft e lartë, përveç në Veri, në Partesh pjesëmarrja ishte mbi 50 për qind, në Graçanicë 48 për qind etj.

Në Prishtinë kanë dalur mbi 55 për qind e votuesve, në Prizren 44.3, në Pejë, 42.5, Deçan 43.6, Gjakovë, 40.13, Gjilan 46.8, në Istog 40.7, në Ferizaj mbi 47, në Mitrovicë në të cilën përfshihet edhe numri i votuesve në pjesën veriore kanë dalë 37 për qind, ndërsa pjesëmarrje rekorde ka shënuar Skenderaji, ku kanë dalur mbi 93 për qind e votuesve, që paraqet edhe një indikacion dyshimi. / BS

Exit pole: PDK 31%, LDK 25, VV 16, AAK 12.5, AKR 6.5, FER 4.5, LDD 2.5

Qendra për Studime Humanistike “Gani Bobi” ka organizuar “Exit Poll” mbi votimet e sotme parlamentare në Kosovë.

Sipas anketimeve nga kjo qendër, e udhëhequr nga publicisti Shkëlzen Maliqi, këto janë rezultatet:

Partia Demokratike e Kosovës (PDK)- 31 për qind të votave

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 25 për qind

Vetëvendosja (VV)- 16 për qind

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)– 12.5 për qind

Aleanca Kosova e Re (AKR) – 6.5 për qind

Fryma e Re (FER)– 4.5 për qind

Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD)– 2.5 për qind

Partitë tjera – 2 për qind.

Maliqi ka shpjeguar se gabimet e këtij vlerësimi mund të jetë deri në 3 për qind. Ai njëkohësisht ka sqaruar se rezultatet e publikuara assesi nuk mund të merren si të sakta, por vetëm si një tendencë.

Ndërsa, që për partitë tjera parashikimi jep që të kenë marrë 2 për qind. Sipas Shkëlzen Maliqit, i cili prezantoi rezultatet e Exit poll, në hotelin Grand në Prishtinë, më shumë se 2000 veta e kishin deklaruar votën e tyre, ndërsa që janë anketuar shumë më tepër qytetarë në të gjithë Kosovën.

Margjina e gabimit si zakonisht në prezantimin e hulumtimeve të këtilla, thuhet se është 2-3 për qind. Dhe duke pasur parasysh këtë margjinë gabimi, e cila është më e ndjeshme tek partitë e vogla, atëherë për partinë FER, e cila ka fituar vetëm 4.5 për qind, sipas Maliqit mund ta kalojë pragun zgjedhor prej 5 për qind.

* * * * * * *

Në Kosovë u mbyllen vendvotimet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se të gjitha vendvotimet në mbarë Kosovën tashmë janë mbyllur, përveç atyre ku mund të ketë pasur njerëz në pritje për të votuar. Lajmin e ka konfirmuar Fehmi Ajvazi, zëdhënës i KQZ-së.

* * * * * * *

KQZ: Vendvotimet në veri të Kosovës janë mbyllur në orën 16:00

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka pohuar se në veri të Kosovës vendvotimet fikse dhe ekipet mobile janë mbyllur në orën 16:00.

Zonja Daka ka thënë se në Zveçan tri ekipe mobile janë larguar tre orë më herët për shkak të situatës së tensionuar.

* * * * * * *

KQZ: Deri në ora 15:30 votuan 34 për qind

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) konfirmoi në ora 17.00 se votimet në Kosovë po bëhen normalisht, përjashtuar disa raste të izoluara që nuk kanë penguar rregullsinë e votimeve. Po sipas KQZ-së nuk ka pasur vonesa në hapjen e vendvotimeve, derisa pjesëmarrja në votime e qytetarëve deri në ora 15:30 ishte mbi 34 për qind. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se në përgjithësi procesi i votimit në të gjitha vendvotimet po zhvillohet pa probleme të theksuara. Sipas Dakës, dalja e deritashme e votuesve është e kënaqshme.

“Përqindja e deritashme e votuesve është e kënaqshme, duke pasur parasysh edhe kohën. Por, do të shohim pas orës shtatëmbëdhjetë sa do të jetë ajo dalje. Atëherë do të kemi një pasqyrë më të plotë të daljes në përgjithësi”, bëri të ditur Daka.

DV: Po vërehen parregullsi gjatë procesit zgjedhor

Rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka bërë të ditur se deri në mesditë kanë votuar 15.3 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, ndërkohë që gjatë procesit zgjedhor janë vërejtur parregullsi nëpër disa qendra të vendvotimeve, presion ndaj votuesve dhe votime të dyfishta.

* * * * * * *

Kurti, procesi i votimit i pranueshëm


Procesi zgjedhor filloi problematik në disa prej Qendrave të Votimit, por disa probleme janë zgjidhur dhe janë marrë masa pas reagimeve të njëpasnjëshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, deklaroi në një takim me gazetarë, kryetari i kësaj Lëvizje, Albin Kurti. “Ne jemi duke e monitoruar imtësisht procesin, në secilën qendër e ne secilin vendvotim, dhe duke raportuar edhe për shkelje më të vogla i parandalojmë shkeljet e mëdha”, tha Kurti.

Ai tha se këto zgjedhje janë vendimtare për të ardhmen e Kosovës, “për të ardhmen e secilit prej nesh”. Kurti tha se pjesëmarrja e madhe në këto zgjedhje do të bënte të pamundura manipulimet dhe tentativat për të deformuar vullnetin e votuesve. Ai tha se këto zgjedhje janë historike sepse ndodhin në një moment kur diskutohen tema politike tepër të rëndësishme për popullin tonë. “Pushteti i ardhshëm do të vendosë nëse do të ketë negociata me Serbinë apo nëse ato do të ndërprehen, do të vendosë nëse do të vazhdojë procesi i privatizimit të kompanive të rëndësishme publike, apo nëse këto do t’i kthehen qytetarit të Kosovës, e vendimi për këtë pushtet është i juaji. Prandaj ju ftoj të dilni të votoni të gjithë, me familjet, miqtë e shokët tuaj, sa më pasivisht”, tha Kurti.

Ai e ftoi rininë gjithashtu të dalë masivisht në zgjedhje, sepse sot po vendoset për të ardhmen e tyre. Ai bëri apel që qytetarët të mos e lënë votën për momentet e fundit, paraqituni sa më shpejt në qendrat e votimit në mënyrë që gjithçka të shkojë mirë, e të kemi mundësinë të ruajmë votat e secilit prej ju. “Sot është dita kur qytetari i Kosovës ka mundësi të vendosë, e sot ju ftojmë për të vendosur”, tha Kurti. / BS

* * * * * *

“Vetëvendosje!”: Fletëvotimet jashtë qendrave të votimeve (

Lëvizja “Vetëvendosje!” e cila sivjet po merr pjesë për herë të parë në zgjedhje, sot gjatë gjithë ditës ka njoftuar për parregullsi në disa qendra votimi. Në ditën kur po votohet anembanë Kosovës, Lëvizja “Vetëvendosje!” ua ka shpërndarë medieve një xhirim të shkurtër amator, ku shihet që në një qendër të votimit, që thuhet të jetë diku në Prizren, disa persona shpërndajnë fletëvotime jashtë qendrave të votimit. Sipas kësaj lëvizjeje, bëhet fjalë për Qendrën Nr 204/A në shkollën “Gani Cavderbasha”, në Prizren.

 

 


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni