Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se janë hapur me kohë të gjitha qendrat e votimeve në Kosovës dhe se procesi zgjedhor është duke rrjedhur pa probleme.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë në konferencën e parë për media se sipas informacioneve që posedojnë nga terreni të gjitha 746 qendrat e votimeve me 2280 vendvotime janë hapur në ora 7.00.

“Kemi kënaqësinë t’ju informojmë se të gjitha qendrat e votimit dhe vendvotimit janë hapur dhe se procesi është duke u zhvilluar shumë mirë”, ka thënë Daka.

Për më tepër, ajo ka bërë të ditur se edhe në veri sikurse edhe në pjesën tjetër janë hapur vendvotimet, por nuk ka mund të konfirmojë nëse ka pasur votues serbë që kanë dalë të votojnë, duke thënë se për këtë do të sjellin informacione në konferencën e radhës në ora 13.00.

“Vendvotimet, si dhe ekipet mobile në komunat veriore janë hapur sipas planit operacional të miratuar nga KQZ-ja për pjesën veriore dhe deri më tani gjithçka është duke shkuar me rregull”, ka thënë ajo.

Kreu i KQZ-së ka bërë të ditur se në veri ka vendvotime fikse dhe ekipe mobile, ndërsa këto ekipe janë të përbëra nga ndërkombëtarë, por ka edhe shqiptarë.

Për sa i përket shpalljes së rezultateve preliminare, Daka ka përkujtuar se në këtë aspekt nuk ka ndonjë limit kohor dhe se për këtë do të dihet në konferencat e radhës gjatë ditës se kur do të dilet me rezultate./bota sot

SHPËRNDAJE