Lëvizja Bashkohu sërish doli në rrugë. Edhe këtë herë në mbrojtje të një vajze myslimane, të cilën e larguan nga shkolla sapo vendosi të vë shaminë. Për më shumë se një orë, ata protestuan në Ferizaj kundër largimit të Njomza Jashari nga Shkolla e Mesme Ekonomike “Faik Konica” në Ferizaj, shkruan Express-i

Nuk kaloi shumë kohë, Lëvizja Bashkohu doli prapë në rrugë. Kësaj radhe nuk i mori të gjitha qytetet me rend. Këtë herë kjo lëvizje mblodhi njerëz me autobusë e u nis drejt qytetit të Ferizajt. Atje i pritën edhe shumë besimtarë të tjerë myslimanë. Të gjithë e falën xhumanë e ia mësyn sheshit “Adem Jashari”.

Zgjodhën qendrën e Ferizajt e u mblodhën për protestë për Njomza Jasharin, vajza e cila më 25 janar u largua nga shkolla menjëherë pasi vendosi të bartë shaminë. Ishte ky vendim i drejtorisë së Shkollës së Mesme Ekonomike “Faik Konica” arsyeja që e shtyri Fuad Ramiqin t’i thërrasë të gjithë në rrugë. Ai me lëvizjen që e udhëheq dhe të gjithë besimtarët myslimanë, që të premten iu bashkuan protestës, tash po kërkojnë ta kthejnë vajzën në shkollë.

Kjo pasi ata konsideruan se largimi i Njomëzës nga shkolla përbën shkelje të normave ligjore dhe kushtetuese, sikundër edhe konventave ndërkombëtare. Derisa protestuesit si zakonisht mbanin në duar pankarta me përmbajtje “Mbulesa është normë fetare”, “E drejta e shkollimit mbrohet me ligj”, “Ndalohet mbulimi i mendjes, jo i kokës”, “Mos shfrytëzoni shtetin kundër nesh”, organizatorët e protestës u takuan me krerët komunalë. Me vete ata morën edhe babain e vajzës për të cilën dolën në protestë, Nesret Jasharin.

Fuad Ramiqi tha se ka shkuar në zyrën e kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, që të kërkojë nga vetë ai personalisht rikthimin e Njomëzës në shkollë. Megjithëse kërkesa e tij nuk u mor parasysh. “Kërkuam që të interpretojnë në përpikëri kushtetutën dhe ligjet në fuqi dhe të mos bëjnë diskriminime më banale dhe mos të bëjnë fyerje ndaj rinisë edhe në baza fetare edhe kombëtare, duke i përjashtuar nga shkolla dhe mohuar të drejtën për arsim, që është një e drejtë fondamentale e çdo njeriu në botë”, ka thënë Ramiqi menjëherë pasi doli nga takimi, që kishte me babanë e Njomzës dhe krerët e Komunës. “U kemi thënë se nuk jemi për zgjidhje të çështjes në mënyrë selektive, por heqjes së udhëzimit administrativ në tërësi dhe gjetjes së një kompromisi që vajza të vazhdojë shkollimin se ka pak muaj derisa të marrin vendim institucionet e larta”, u shpreh ai.

Sipas Ramiqit, kryetari dhe drejtori nuk ishin për kompromis dhe të vetmen alternativë që, sipas tij, ata i dhanë ishte që nxënëses t’i mundësohen provimet me kusht që mos të shkojë në shkollë e mbuluar. “Kjo ka qenë një protestë paqësore dhe ne do të shikojmë mundësitë e veprimit me masa tjera, që njëherë e përgjithmonë kjo fyerje e dukuri të merr fund”, ka thënë Ramiqi.

Por, një shpjegim krejt ndryshe pas takimit kanë dhënë zyrtarët komunalë të Ferizajt. Drejtori i Arsimit, Agim Berisha ka thënë se kjo është një çështje që nuk mund ta zgjidhë pushteti lokal, por janë çështje që zgjidhen në Kuvendin e Republikës së Kosovës. “Dihet se edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës jemi shtet laik, ku i ndërhyhet fesë, por as që lejohet feja të ndërhyjë”, ka thënë Berisha. “Krejt nga kjo kanë derivuar ligjet dhe aktet administrative që sot janë në fuqi. Ne nuk mund të marrim atë kompetencë, sepse nuk është barrë e jona, prandaj kjo protestë mund të reflektojë te organet qendrore”, është shprehur ai.

E sa ka zgjatur ky takim mes kryetarit të Lëvizjes “Bashkohu” Fuad Ramiqi dhe babait të Njomzës, Nesret Jashari me kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu dhe drejtorin e Arsimit, Agim Berisha, protestuesve u është drejtuar njëri nga udhëheqësit e kësaj lëvizjeje Fatos Rexhepi. I bindur se lëvizja të cilës i takon do ta mbrojë çdo motër nëse është nevoja, Rexhepi tha se është i gatshëm që çdoherë ta ngrijë zërin. “Të përjashtohet një vajzë, e cila ka dëshiruar të bëhet një nënë e mirë, një qytetare e ndershme e Kosovës, të largohet në kohën kur ne po flasim për një demokraci, ky është diskriminimi më i madh që bëhet në Kosovën tonë”.

Pas më shumë se një orë sa qëndruan në rrugë, Lëvizja Bashkohu dhe protestuesit e tjerë u shpërndanë të qetë andej kah erdhën. Ndryshe, pas përjashtimit të maturantes Njomëza Jashari nga procesi mësimor, ditë më parë kanë protestuar edhe nxënës të shkollës ku ajo vijonte mësimin. E ndaj vendimit të Drejtorisë së Arsimit ka reaguar edhe dega e Bashkësisë Islame në Ferizaj, ku kanë kërkuar rikthimin në shkollë të maturantes. E kontaktuar nga Express para disa ditësh, Njomza Jashari tha se drejtori i shkollës i ka sugjeruar të blejë shkollën me para ku të dojë sepse në mënyrë të rregullt nuk ka asnjë mundësi. “Unë do të luftoj në të gjitha mënyrat, por mbulesën nuk e heq. Kam vendosur tashmë”, pati thënë ajo.

Kjo nuk është hera e parë që nxënësit e shkollave të mesme përjashtohen nga procesi mësimor për shkak të bartjes së shamisë. Për këto ndalesa u patën mbajtur edhe protesta dhe ka pasur diskutime në Kuvend. Por, futja e shamisë në shkolla të mesme nuk ka kaluar as nga deputetët

SHPËRNDAJE