Në Kosovë vlerësohet të jenë vrarë rreth 12 mijë njerëz, të kenë mbetur akoma të zhdukur diku 2 mijë të tjerë, dhe të jenë shkatërruar rreth 200 mijë shtëpi, banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj. 

 

Prishtinë, 30 prill/ AIK-Prsheva Jonë

Qeveria e Kosovës ka themeluar të premten një institut që ka për detyrë të evidencojë krimet e kryera dhe dëmet e shkaktuara nga shteti i Serbisë dekadën e shkuar, për të cilat mëton të ngrejë padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë prej vitit 1990-1999 do të ketë statusin e institucionit publik dhe do të funksionojë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Ai do të përbëhet nga ekspertë vendës e ndërkombëtarë. Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, që ka sponsorizuar themelimin e institutit, ka thënë të ketë për qëllim që në mënyrë profesionale Kosova ta ketë pasqyrën në kuptimin juridik, politik, historik, ekonomik, ushtarak, sociologjik, etj., për krimet që kanë ndodhur gjatë viteve ’90-’99.

Ai ka bërë të ditur se Kosova do ta padisë Serbinë për krimet e kryera sapo t’i mundësohet kjo.“Esenca e kësaj padie (kundër Serbisë v.j.) është kur të piqen edhe kushtet juridike. Ju e dini që ta padisni një shtet duhet të plotësohen dy kushte – të jeni anëtar i OKB-së, ose të jeni nënshkrues i Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ne nuk kemi as njëra e as të tjetra”, ka thënë Kuçi, që është edhe zëvendëskryeministër. “Kjo nuk do të thotë se në të ardhmen nuk do të jemi, edhe ne duhet të jemi të përgatitur”.

Qeveria e Kosovës ka themeluar këtë institut 12 vjet pas përfundimit të luftës. Ndërkohë mekanizma të këtillë kishin ngritur republikat e ish-Jugosllavisë të përfshira në luftë, gjatë përpjekjes së tyre për t’u pavarësuar. Që nga kjo javë Fondi për të Drejtën Humanitare, si pjesë e koalicionit të organizatave joqeveritare për komisionin rajonal i njohur si KOMRA, ka nisur grumbullimin e nënshkrimeve në Kosovë, për themelimin e këtij komisioni për ndriçimin e fakteve për krime lufte dhe për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në të kaluarën. Bekim Blakaj, drejtor për Kosovën i Fondit për të Drejtën Humanitare, ka mirëpritur themelimin e institutit, por ka vlerësuar se Qeveria është vonuar në marrjen e këtij vendimi.

“Frikohem që një numër i madh i provave, sidomos kur është fjala te dëmet materiale, nuk është evidencuar dhe më nuk ekzistojnë ato. Në këtë aspekt instituti me një vonesë shumë të madhe është krijuar”, ka thënë Blakaj. “Sidoqoftë, më mirë është vonë se kurrë”.  Në Kosovë vlerësohet të jenë vrarë rreth 12 mijë njerëz, të kenë mbetur akoma të zhdukur diku 2 mijë të tjerë, dhe të jenë shkatërruar rreth 200 mijë shtëpi, banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj.

SHPËRNDAJE