Rini moderne, vend ku ka jetë të natës, atraksione kulturore e natyrore, relaks e mundësi të mëdha argëtimi, synon të paraqesë Qeveria e Kosovës me klipin e dytë në rrjetin e famshëm televiziv amerikan CNN

 

Prishtinë, 6 qershor


Të martën, klipi prej 60 sekondash, është transmetuar 3 herë në këtë rrjet. Bashkë me dy reklama të tjera, shteti i Kosovës ka paguar hiq më pak se një milion euro. Por aty në së paku shtatë sekonda i janë bërë vend edhe imazheve të hotelit pronë e zëvëndëskryeministrit të Kosovës, Behxhet Pacolli, përderisa mbyllet me imazhe të Bibliotekës Kombëtare Universitare të Kosovës, i shpallur dy herë si njëri ndër objektet më të shëmtuara në botë. Nuk mungon as ndërtesa e ekzekutivit.

Agjencia për Promovimin e Investimeve në Kosovë – e cila vepron pranë Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë që udhëhiqet nga Mimoza Kusari – Lila, numri dy i partisë së Pacollit – për imazhet e hotelit arsyetohet se ia kanë fshehur emrin.

“Aty nuk shihet emri i hotelit. Kemi dashur të tregojmë se edhe këtu ka vende të mira për relaks dhe rekreacion. Kemi qenë të kujdesshëm në atë që të mos shihet se cili hotel është”, ka thënë Valdrin Lluka, shef ekzekutiv i APIK-ut nëpërmjet së cilës koordinohet reklama. Ai ka folur edhe për BKUK-un, objektin e të cilit gazeta britanike “The Telegraph”, këtë vit ia kishte dhënë vendin e tretë si objekti më i shëmtuar në konkurrencë me 21 objekte anekënd botës, tre vjet pasi virtualtourist.com ia dha vendin e nëntë.

“Biblioteka Kombëtare mbetet një ndër objektet me të cilin krenohet Prishtina”, ka thënë Lluka.

Deri më 20 dhjetor të këtij viti, klipi i fundit do të transmetohet prej një deri në katër herë në ditë. Një tjetër klip do të pasojë brenda kësaj kostoje, që do të bëjë thirrje për investime në Kosovë. I pari në këtë seri, ai prej 16 sekondash qe transmetuar në katërvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por që kishte ngjallur reagime të ashpra në vend, për gabimet që ishin bërë në të. Vepra “Newborn” aty do të pasqyrohej si “Newporn”, shkruan sot gjerësisht “Koha Ditore”

SHPËRNDAJE