Autoritetet e Prishtinës zyrtare kanë futur “veshët në lesh” dhe në heshtje po e injorojnë faktorin politik të Luginës së Preshevës, për të sensibilizuar problemin e shqiptarëve të atjeshëm.

Përfaqësuesit e Kosovës Lindore, thonë se prej kohësh kanë kërkuar takim me presidenten e shtetit, Atifete Jahjaga, kryeministrin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqi, por që asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje zyrtare për mosrealizimin e këtij takimi, përmes të cilit synohet që të rritet interesimi i Qeverisë së Kosovës për problemet e shqiptarëve të atjeshëm.

Madje që ky takim të realizohet, përfaqësuesit e tri komunave shqiptare të mbetura nën Serbi, kishin kërkuar ndërmjetësimin e qeverisë së Tiranës. Por, edhe kjo e fundit ishte treguar e ngathët që të realizojë këtë takim, duke marrë mesazhe se në këtë periudhë nuk është momenti që të takohen me përfaqësuesit e atjeshëm, për shkak të “refleksioneve ndërkombëtare”.

Belgzim Kamberi është njohës i rrethanave politike dhe njëherësh drejton Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Preshevë. Ai adresoi kritika të ashpra ndaj Qeverisë së Kosovës, por edhe asaj në Tiranë, për injorimin që po ia bëjnë shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Kërkesa për takim me krerët e shtetit të Kosovës ka qenë në funksion të asaj që të rritet interesimi i Prishtinës dhe Tiranës zyrtare për problemin e Luginës, pasi që të dyja qeveritë e kanë harruar krejtësisht problemin e shqiptarëve të Kosovës Lindore.

Krerët e shtetit të Kosovës më shumë kanë treguar interes për takime simbolike, (regjistrimi i studentëve, taksat kufitare), por nuk kanë treguar interesim që të bisedojnë me faktorin politik të Luginës në kontest të çështjes politike”, ka thënë Kamberi.

Sipas tij, një nga arsyet e këtij injorimi, sigurisht se është presioni i faktorit ndërkombëtar, pasi që siç ka deklaruar ai, ”bashkësia ndërkombëtare ka inkurajuar çdoherë Prishtinën zyrtare që çështjen e Luginës të mos e trajtojë si çështje të saj, por si çështje të një pakice në Serbi”.

Si arsye tjetër, Kamberi ka përmendur edhe shmangien e politikëbërjes së Kosovës nga problemet që kanë shqiptarët jashtë kufijve të Kosovës.

“Politika kosovare është orientuar kryesisht në politikat e saj të brendshme dhe çështjet e qeverisjes, dhe nuk ka treguar interesim për problemin e shqiptarëve të Luginës. Megjithatë, kjo mund të ndryshojë në momentin që Prishtina frikësohet se do ta humbasë veriun e Kosovës”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo është një logjikë e gabuar.

“Në të ardhmen mund të ndodhë që Kosova ta ketë një interesim më të madh sa i përket problemit të shqiptarëve të Luginës, pas asaj që thuhet se do të ketë bisedime politike në mes Prishtinës dhe Beogradit dhe për të krijuar barazpeshë në mes veriut të Kosovës dhe Luginës, atëherë mund të ngrihet çështja e shqiptarëve të Kosovës Lindore”, ka thënë Belgzim Kamberi.

Edhe kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka përmendur problemet e mëdha me të cilat përballen shqiptarët e atjeshëm.

”Është mirë që në bisedimet politike që pritet të zhvillohen Kosovë-Serbi, që do të jenë mbase edhe të fundit ndërmjet këtyre dy shteteve, të mos anashkalohet çështja e Luginës së Preshevës. Në këtë kontest besoj se autoritetet e Prishtinës do ta kenë parasysh pjesën e Luginës dhe ne të jemi pjesë e bisedimeve dhe autoritetet e Prishtinës të kërkojnë nga Serbia po aq sa serbët kërkojnë për veriun e Kosovës”, ka thënë ai.

Mustafa, ndërkaq, ka shfaqur shpesën se takimi i kërkuar me krerët e shtetit të Kosovës do të mund të realizohet në momentin që do të caktohet agjenda e bisedimeve Kosovë-Serbi.

“Tani për tani nuk është nevoja që të përshpejtohet për një takim të tillë, përderisa nuk formohet ekipi negociues në bisedimet që pritet të zhvillohen. Ndërkaq është në dorën e Kosovës që të vendosë nëse edhe përfaqësuesit e Luginës do të jenë pjesë e ekipit negociues, pasi që problemi i shqiptarëve të Luginës duhet të vihet në tryezën e bisedimeve Prishtinë-Beograd dhe të gjendet shtegdalje për shqiptarët e Kosovës Lindore”, ka thënë ai.

Ngjashëm është shprehur edhe Galip Beqiri, kryetar i Këshillit Kombëtar të Luginës së Preshevës, i cili ka bërë të ditur se është kërkuar edhe nga Tirana zyrtare që të ndërmjetësojnë për një takim me krerët e shtetit të Kosovës, me qëllim të koordinimit të punëve për problemin e shqiptarëve të Luginë të Preshevës.

“Faktori politik i Kosovës ose heziton, ose nuk guxon nga bashkësia ndërkombëtare për një takim të tillë. Derisa ne jetojmë në një geto, mendoj se çështja e Luginës duhet ngrihet njësoj sikurse e serbëve të veriut në bisedimet e ardhshme”, ka thënë ai.

E nga ana e tij, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se nuk është i njoftuar për kërkesën e faktorit politik të Luginës rreth një takimi me kryeministrin Thaçi. ”Nuk e di se me kë ata kanë kërkuar takim, ngase ne jemi të gatshëm që çdoherë t’i takojmë. Zgjidhja për veriun duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës dhe çdo tendencë tjetër i prish balancat në Kosovë dhe rajon”, ka thënë Kuçi. (Zeri:Lumturie Blakaj)

SHPËRNDAJE