Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Republikës së Kosovës, Ramë Buja dhe homologu i tij nga Republika e Shqipërisë, Myqrem Tafaj, janë pajtuar që të formojnë grupe ekspertësh në përpilimin e programeve të përbashkëta mësimore si dhe teksteve të përbashkëta, duke filluar nga Abetarja.

Ministri Buja po zhvillon të premten një vizitë zyrtare në Tiranë, ku është pritur nga ministri Tafaj. Pas takimit, ministri Tafaj ka ofruar mbështetje maksimale për intensifikimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit, duke thënë se përkundër bashkëpunimit të tanishëm, i cili është intensifikuar për sa i përket rritjes së numrit të nxënësve, studentëve, mësuesve dhe profesorëve, duhet intensifikuar këtë bashkëpunim edhe me kontaktet mes të rinjve, si një bashkëpunim shpirtëror.

“Rruga e Kombit është bërë një faktor madhor që ka lehtësuar, shpejtuar, intensifikuar këtë bashkëpunim. E kemi rritur numrin e binjakëzimin të shkollave, por mendojmë se mund të bëhet akoma më shumë. Kjo do të rrisë, do të shtojë kontaktet midis nxënësve dhe studentëve, prandaj do të inkurajojmë edhe më tej binjakëzimet midis shkollave në të gjitha nivelet. Eshtë rritur numri i studentëve nga Republika e Kosovës që studiojnë në universitetet tona në të gjitha nivelet, do të vazhdojmë edhe më tej”, ka thënë Tafaj.

Ministri Tafaj po ashtu u ndal te nevoja e fillimit të bashkëpunimit në fushën shkencore dhe shkëmbimit të profesorëve mes universiteteve publike te të dyja vendeve.

“Ne kemi hapësirën e plotë që të kemi programe dhe tekste të përbashkëta, duke filluar që nga klasa e parë deri në klasën e dymbëdhjetë për arsimin parauniversitar, dhe duke vazhduar më tej me arsimin e lartë. Ne diskutuam sot për komisione të përbashkëta të ekspertëve dhe për grupe të përbashkëta të autorëve për të hartuar tekste, në radhë të parë programe të përbashkëta, pastaj edhe tekste të përbashkëta, duke filluar me Abetaren”, ka thënë ai. Kurse, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka thënë se ka biseduar për ngritjen e cilësisë në nivelet parashkollore, shkollor, arsimin parauniversitar dhe universitar.

“Në veçanti u fokusuam që të pasurohemi edhe më shumë me atë mungesë kuadri që kemi, sepse të dy republikat tona kanë vetëm rreth 6000 profesorë dhe ne do të duhej ta shtojmë këtë kuadër dhe këtu u dakorduam në të gjitha ato që biseduam “, ka thënë Buja dhe shtoi se kanë diskutuar edhe për përafrimin e plan-programeve.

Ministrat kanë këmbyer abetaret e të dyja vendeve, ndërsa Buja ka uruar që mos i këmbejnë më.

“I urova ministrit që mos të kemi nevojë të këmbejmë më fizikisht Abetare, por t’i kemi të panevojshme këmbimet, që ta kemi të përbashkët, dhe ne jemi në rrugë për të bërë atë që të integrohemi për të mos e penguar askënd”, ka thënë ai.

SHPËRNDAJE