Kryetari i Aleancës së Bizneseve të Kosovës, Agim Shahini dhe bizneset pritën një delegacion nga Imo i Nigerisë, të shoqëruar edhe nga Behgjet Pacolli, zëvendës kryeministër i Qeverisë së Kosovës, Ibrahim Gashi, zv.ministër i Jashtëm, Blerand Stavileci, ministër i Bujqësisë dhe zv.ministri i Zhvillimit Ekonomik, Ramadan Hasani.

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli tha se Kosova është një shtet me mundësi të mrekullueshme për investime. Komuniteti i biznesit do të ofroj mundësi joshëse për investime dhe bashkëpunim ndërmjet dy vendeve.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës së Bizneseve të Kosovës, tha se vendi jonë ka nevojë për investime të huaja. “AKB ka sloganin Kosova, shtet i artë për investime. Për këtë slogan janë një varg arsyesh, e njëra ndër kryesoret është se ka pasuri të shumta e atë edhe nëntokësore dhe të cilat nuk i ka askush në regjion. Këto pasuri janë me miliarda dhe kërkojmë bashkëinvestime”, tha Shahini.

“Kosova eksporton jo vetëm në regjion, por edhe më gjerë, sepse prodhimet tona janë shumë cilësore dhe të kërkuara. Kërkojmë bashkëpunim me vendin tuaj, ne kemi popullsi të re dhe të gatshme për punë dhe shërbime në tërë botën”, tha Agim Shahini.

Shahini tregoi se në vendin tonë vazhdon procesi i privatizimit dhe ku kërkohen investitorë potencialë, sepse ka mjedis të favorshëm për investime.

“Kosova ka mundësi të bashkëpunimit me Nigerinë në shumë fusha, ku mund të eksportojmë dhe importojmë”, tha Shahini.

Kryetari Agim Shahini, në emër të AKB-së dhe bizneseve nga Kosova ofroi mbështetje dhe përkrahje për rriten dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ai falënderoi edhe zv.kryeministrin Begjet Pacollin, për sjelljen e këtij delegacioni në Kosovë.

Guvernatori i Imos, Owelle Anayo Rochas Ekorocha, tha se dy shtetet kanë shumë gjëra të përbashkëta dhe shohin mundësinë e bashkëpunimit e pse jo edhe konsumimit të prodhimeve nga Kosova. Ai u shpreh i hapur për hapjen e fabrikave kosovare edhe në Nigeri. Ai ftoi bizneset nga Kosova që në maj të marrin pjesë në Forumin Ndërkombëtar që do të mbahet në Nigeri.

“Investitorët nga Kosova që duan të investojnë tek ne e kanë shumë të lehtë, tokën ua japim falas, për 5 vjet e ku do të kenë 0 taksa dhe ftojmë e presim investitorët nga Kosova”, tha Owelle Anayo Rochas Ekorocha. Guvernatori i Imos, tregoi se fuqia punëtore është më e lira na botë dhe në asnjë vend të botës nuk mund të fitohet më shumë se në Nigeri./Kosovapress/

SHPËRNDAJE