Konjufca: Qeveria nuk e ka ndërmend t’i shpërbëjë strukturat paralele

Kryeministri, Hashim Thaçi është përballur në seancën e Kuvendit me kritikat e një pjese të opozitës për hapjen e Zyrës Administrative në veri.

Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, kritikoi Qeverinë për hapjen e Zyrës Administrative në veri të Kosovës.

Ai ka theksuar se hapja e kësaj zyre do të shkaktojë efekt të kundërtën, sipas tij, ashtu siç ka krijuar aksioni i 25 korrikut.

Këto komente, Konjufca i bëri në seancën e Kuvendit, me ç’rast tha se Qeveria nuk e ka ndërmend t’i shpërbëjë strukturat paralele serbe, por do të përfundojë në negociata, të cilat nuk sjellin asgjë më shumë se autonomi të veriut dhe ndarje të Kosovës.

Kryeministri Thaçi, ka thënë se hapja e zyrës është hapi i tretë i rëndësishëm, pas aksionit të 25 korrikut dhe zgjedhjeve të organizuara nga OSBE-ja.

Thaçi po ashtu ka deklaruar se Kosova do t’i përmbush në kohë rekord obligimet që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni