Prishtinë,18 shtator 2012 (17.00)
Kosova duhet ta kushtëzojë Serbinë me Luginën e Preshevës ashtu që drejtat e pakicave që janë në Kosovë t’i kenë edhe shqiptarët e kësaj pjese. Por kjo është vetëm njëra nga kërkesat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Shoqatës “Vatra”, pasi që kanë thënë se Serbia duhet të kushtëzohet edhe më njohjen reciproke të Kosovës, zbardhjen e fatit të pagjeturve, kthimin e pensioneve të Kosovës dhe kërkim faljen.
Gjatë një takimi të mbajtur në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje të martën me Shoqatën “Vatra” është biseduar për tema të ndryshme, por njëra nga temat më kryesore ka qenë paralajmërimi i dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se kombi shqiptar në Luginë të Preshevës është pjesa më e harruar e kombit shqiptar dhe është fatkeqësi e madhe që kombi shqiptar në Luginë të Preshevës përballet me regjimin shtypës dhe të padrejtë serb i vetmuar dhe pa ndihmën e cila duhej të ishte më e fuqishme nga ana e Tiranës zyrtare dhe Prishtinës zyrtare.
Për më tepër, ai ka shtuar se shqiptarëve të Luginës së Preshevës edhe më herët iu është premtuar nga negociatorët e sotshëm që do të përfshihet si temë në gjitha negociatat. Mirëpo, sipas Konjufcës, shqiptarët e atjeshëm gjithmonë kanë qenë të mashtruar nga elitat politike me të cilat kanë negociuar me Serbinë.
Madje, ai ka thënë se duhet një bashkëpunim institucional i bashkërenduar i Prishtinës dhe i Tiranës për mbrojtjen e Luginës dhe për të penguar regjimin serb që të ushtroj atje politikat diskriminuese në punësim, arsim, në çështjen e identitetit kombëtar në çështjen e simboleve.
Sipas tij, Kosova duhet të kushtëzojë bisedimet me Serbinë me çështjen e Luginës së Preshevës dhe më çështje të tjera.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës “Vatra”, Sejdullah Kadriu, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje të përdor autoritetin e saj në kushtëzimin e bisedimeve, në mënyrë që të përfshihet edhe Lugina e Preshevës.
Ndërkohë, duke folur për të drejtat e shqiptarëve në Kosovën Lindore, Kadriu ka thënë se ai popull ka mbetur pas dore në pikëpamje politike, ekonomike, kulturore dhe për këtë as nuk interesohet Prishtina dhe Tirana zyrtare.
Ai u ka bërë apel që në të ardhmen të insistohet që të investohet më shumë se sa deri tash që ai popull të jetë i banuar me shqiptar. Sipas Kadriut nëse vazhdohet kështu mund të vjen deri më e keqja që ajo pjesë të mbetet si Medvegja që kanë mbetur rreth 600 banorë./kp/

SHPËRNDAJE