Një operacion i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe Doganës ka rezultuar me sukses në konfiskimin e mbi 25 kilogramëve substancë narkotike që dyshohet të jetë heroinë, kurse janë arrestuar edhe shtatë persona të dyshuar për ndërlidhje me rastin.

http://www.botasot.info/img/30konfiskimet.jpgZyrtarët e Policisë gjatë një konference për media treguan se heroina është gjetur në një autobus që po qarkullonte nga Stambolli në drejtim të Prishtinës, kurse të arrestuarit janë nga rajoni i Prishtinës, Mitrovicës dhe Pejës.

U.d i ndihmës drejtorit të përgjithshëm për shtyllën e krimeve në polici, Gazmend Hoxha tha se aksioni është realizuar nga bashkëpunimi i policisë, doganave dhe agjencioneve tjera shtetërore që funksionojnë në kuadër të menaxhimit të integruar të kufirit.

“Vlera e përgjithshme e kësaj sasie në bazë të shumës dhe të çmimit që sot është në treg llogaritet të jetë afër 500 mijë euro. Rrjeti që është shkatërruar mendojmë që ka funksionuar për një kohë të gjatë dhe të paktën që dimë deri me tani është që ka qarkulluar nga Turqia përmes Bullgarisë, Maqedonisë deri në Kosovë. Një pjesë e kësaj sasie ka qenë e dedikuar për tregun e Kosovës, ndërsa pjesa tjetër ka mundur të shfrytëzohet edhe për tregun e rajonit, ndoshta edhe më larg, mirëpo për shkak që operacioni është në proces e sipër nuk mund të japim informacione se ku ka qenë destinacioni”, ka thënë ai.

Kjo sasi e drogës ka qenë e vendosur në 8 valixhe të deklaruara si mallra tekstili. Valixhet e dyshuara i janë kontrolluar përmes skanerit (X-ray) dhe gjatë kontrollit – ekzaminimit manual është vërejtur se në pjesën e fundit të valixheve kishte të vendosur diçka të dyshimtë e që rezultoi të ishte sasia e substancës narkotike.

Ndërkaq udhëheqësi i Departamentit të hetuesisë në Doganën e Kosovës, Bashkim Arifi bëri të ditur se ky rast është zbuluar duke përdorur pajisjet e sofistikuara, të dhuruara nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.

“Ky rast është zbuluar duke përdorur pajisjet e sofistikuara të cilat i kemi donacion nga Ambasada Amerikane, që shfrytëzoj rastin ta falënderoj. Kemi shfrytëzuar të gjitha pajisjet e mundshme në këtë rast, skanerët, qenët nuhatës, kështu që kemi ardhur deri te konfiskimi i kësaj sasie kaq të madhe të substancës narkotike”, ka thënë ai.

Ndërkaq gjatë realizimit të kontrollit në shtëpitë e të dyshuarve policia ka gjetur dhe sekuestruar si pjesë e provave materiale gjësende të ndryshme si, lira të Turqisë, 15 mijë euro, tri peshore që shërbejnë për matjen e substancave narkotike, llap-top, telefona mobilë, të gjitha këto janë në procesin e ekzaminimit dhe do të shfrytëzohen për prova në procesin gjyqësor.

I tërë operacioni është zhvilluar me autorizimin e Prokurorit të Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, kurse të dyshuarve të arrestuar u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë me dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm.

SHPËRNDAJE