Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, e cila kishte kërkuar shpalljen të pavlefshme të vendimit të marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të vlersuar votat e vlefshme për kandidatët për kryetar të Bashkisë Tiranë, të cilat ishin hedhur gabimisht nga zgjedhësit në kutitë e tjera.

Fillimisht trupa e gjykatësve ka dëgjyar prtendimet dhe argumentat e palëve të përfshira në këtë proces. Përfaqësuesit e KQZ-së kanë theksuar se vendimi i marrë nga ky institucion ishte i bazuar tërësisht në Kodin Zgjedhor. Po ashtu, u theksua se vendimmarrjen i është referuar rekomandimeve të OSBE/ODIHR, sipas të cilave KQZ duhet të rrisë autoritetin e saj. Më pas, përfaqësuesi ligjor të Partisë Demokratike është shprehur se në asnjë mënyrë nuk mund të mbetet pa numëruar vota e saktë e zgjedhësve, edhe pse ata gabimisht e kishin hedhur atë në kutinë e gabuar. Partia Demokratike nënvizoi se akti i marrë nga KQZ ishin i ndërmjetëm dhe jo normativ.

Përfaqësuesit e Partisë Socialiste kanë argumentuar se KQZ ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe se detyra e këtij organi ishte vetëm shpallja e rezultatit të zgjedhjeve. Për socialistët akti i KQZ ishte i pavlefshëm, pasi ishte një akt normative dhe si i tillë kërkonte 5 vota për miratimin e tij dhe jo 4.

Pas dëgjimit të pretendimeve të palëve, Kolegji Zgjedhor kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tabelat përmbeldhëse të rezultateve të 11 Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor të Tiranës.

Kolegji Zgjedhor, u tërhoq për të marrë vendim në orën 17.00. Pas rreth 4 orësh, trupa e Kolegjit Zgjedhor lexoi vendimin përfundimtar, duke rrëzuar përfundimisht kërkesën ankimore të Partisë Socialiste. Kësisoj është lënë në fuqi vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas të cilit kandidati i Partisë Demokratike Lulzim Basha është në avantazh me 81 vota ndaj rivalit socialist Edi Rama.

SHPËRNDAJE