Më tre maj do të nisë “heshtja”. Gazetarët takojnë Presidenten Jahjaga

Prsishtinë, 25 prill

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka takuar sot disa përfaqësues të mediave kosovare, të cilët prej dy ditësh po protestojnë për ndryshimet në Kodin e Ri Penal. Gazetarët kanë paralajmëruar kryetaren e shtetit, se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, më datën 3 maj do të bojkotojnë punën e institucioneve të Kosovës.
Ndërkaq kryetari i Asosacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK), Arben Ahmeti, ka vlerësuar se zgjatja e këtij bojkoti varet plotësisht nga vendimi që presidentja do ta marrë lidhur me Kodin Penal.
“Më tre maj ne do ta bojkotojmë punën e institucioneve në shenjë pakënaqësie për atë që ka ndodhur deri tani. Varësisht nga vendimi i presidentes bojkoti do të vazhdoj apo do të ndërpritet. Ne do të bojkotojmë punën e institucioneve  sa për t’iu treguar deputetëve se nuk kanë bërë mirë kur kanë votuar kësisoj, dhe për t’i bërë me dije që mos ta përsërisin votimin e njëjtë”, ka thënë Ahmeti. Nga momenti që presidentja Jahjaga pranon ligjin, ajo ka afat tetë ditë që të vendosë nëse ky ligj duhet t’i kthehet kuvendit.
Organizata të ndryshme ndërkombëtare të gazetarëve vazhdojnë të reagojnë ndaj miratimit të Kodit Penal, përkatësisht, dy neneve që cenojnë lirinë e mediave.
Reporterët Pa Kufij e kanë dënuar ashpër Kodin e ri Penal të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, në të cilin gjenden edhe dy nene që sipas kësaj organizate kriminalizojnë shpifjen dhe detyrojnë gazetarët që të zbulojnë burimet e tyre të informacionit në raste të procedimeve kriminale. Reporterët Pa Kufij i bëjnë thirrje presidentes Atifete Jahjaga të refuzojë nënshkrimin e këtij Kodi Penal dhe ta kthejë në Kuvend për të bërë ndryshimet që do të ishin në një vijë me standardet ndërkombëtare.
25 prill 2012 (gazeta-Shqip.com)

SHPËRNDAJE