KIPRED: Veriu i Kosovës drejt autonomisë

Veriu i Kosovës po rrëshqet kah autonomia apo i ashtuquajturi “Ahtisari Plus”, thuhet në një studim të publikuar nga instituti KIPRED në Prishtinë.

Njoftimi i Grupit Ndërkombëtar Drejtues se procesi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës do të përfundojë kah mesi i shtatorit të këtij viti, lë probleme për pjesën veriore të Kosovës.

Sipas analizës politike “Autonomia për Pjesën Veriore të Kosovës: Shpalosja e Skenarëve dhe Pasojat për Rajonin” të publikuar nga KIPRED, problemi i veriut do të zgjidhet në dialogun e ardhshëm politik mes Kosovës dhe Serbisë nëpërmjet një pako “Ahtisaari Plus” e cila do t’ia japë kësaj pjese të shtetit një autonomi shtesë.

Kjo si pasojë do të ketë prishjen e funksionalitetit të Kosovës si shtet normal si dhe efekte negative te fqinjët, gjegjësisht në Luginën e Preshevës dhe Maqedoni.

Sipas autorëve të këtij raporti Ilir Deda drejtor i institutit KIPRED, dhe Shpend Kursani hulumtues i lartë në institut, kjo zgjedhje e mundshme për veriun do të çonte tek krijimi i një shteti me dy entitete të ndara mes serbeve dhe shqiptarëve e që si rezultat do ta bëjë shtetin jo funksional, siç është shembulli i Bosnjës.

Sipas tyre, kjo do të sillte deri te shpërngulja e serbeve nga jugu për në veri të Kosovës dhe Serbi, si dhe e 4,000 shqiptarëve të mbetur në veri drejt jugut. Si rezultat i gjithë kësaj, pakënaqësitë mes shqiptarëve të Kosovës do të rriten, e që nuk do ta lë pa prekur Luginën e Preshevës, Maqedoninë dhe Bosnjën.

Kërkesa për reciprocitet do të ketë në Luginën e Preshevës, mirëpo në këtë raport theksohet që për shkak se shqiptarët në Luginë janë lënë anash dhe pa përkrahje nga lidershipi politik në Kosovë që nga përfundimi i konfliktit të vitin 2001, pakënaqësitë e shqiptarëve të Luginës do të hasin prapë në vesh të shurdhër e cila do të çoj tek shpërngulja graduale e tyre drejt Kosovës dhe Evropës.

Rasti i Medvegjës është ai që e ilustron këtë më së miri ku tanimë nuk kanë mbetur më shumë se 500 banorë shqiptarë, nga 3,000 sa ishin më herët.
Efektet, sipas raportit, do të ndjehen edhe në Maqedoni.

Deda vlerëson se aktet e vazhdueshme të dhunshme të karakterit etnik që ndodhën së fundi në Maqedoni po ndikojnë në uljen e legjitimitetit politik të partive shqiptarë në vend e cila krijon vakum politik që do të kapet nga forcat tjera politike më radikale.

Ndërsa sipas zotit Kursani, protesta e majit e cila spontanisht mblodhi plot 10,000 shqiptarë në Shkup me karakteristika të kombinuara kombëtare e religjioze tregon më së miri për situatën e cila lehtë mund të eskalojë.

Sipas tij, nëse e njëjta ndodhë në të ardhmen, me një veri autonom, do të ketë pasoja shumë më të mëdha përçarëse në vend e cila edhe do ta luhatë stabilitetin politik.

Si rezultat i zgjedhjes “Ahtisaari Plus” për veriun, shqiptarët në Maqedoni do ta hapin debatin për kërkesa shtesë që kanë të bëjnë me krijimin e Kuvendit dy-dhomësh dhe federalizmin e Maqedonisë, temë që lidershipi politik shqiptar dhe maqedonas mundohen mos ta hapin për shkak të rehatisë politike që gëzojnë.

Në skenarët e detajuar që do të pasonin si rezultat i autonomisë së mundshme për veriun, autorët parashohin një ngritje të pakënaqësisë edhe te pala maqedonase e cila vetëm sa do ta radikalizojë edhe më shumë palën shqiptare.

Kjo si rezultat do të çojë tek zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni të cilat do ti gjejnë të dyja kampet etnike më të radikalizuara në vend.

Në planin afatmesëm, kjo politikë do të rezultojë në krijimin e një terreni të përshtatshëm për rishikimin e plotë të kufijve të tanishëm në rajon. Shqiptarët, ashtu si qëndrojnë aktualisht, nuk janë të gatshëm për hapjen e këtij skenari; ekzistenca e Maqedonisë në tërësi do të rrezikohet duke përfshirë shtete të tjera përtej Ballkanit Perëndimor, ndërsa BeH ka të ngjarë që të shpërbëhet.

Këto ndryshime në rajon nuk do të ndodhin në mënyrë paqësore.

Fuqitë perëndimore janë lodhur me Ballkanin. Ato i shohin marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës si çështjen e fundit të pazgjidhur në rajon dhe po kërkojnë ‘normalizim’ marrëdhëniesh mes të dyjave, pa njohje të ndërsjellë.

Sipas autorëve, “çmimi” për këtë normalizim është autonomia për pjesën veriore të Kosovës. Duke marrë parasysh dinamikën rajonale, kjo autonomi e parashikuar nuk do të çoj kah stabiliteti më i madh, por më shumë në kahje të kundërt.

Do të krijojë skenën për edhe një përfshirje ndërkombëtare pas 5-10 viteve, me shumë me pak legjitimitet dhe besim nga lojtarët vendor rajonal dhe nga njerëzit e rajonit.

Autorët e kësaj analize politike shtojnë se skenari që ata parashohin bëhet edhe më i rrezikshëm për rajonin duke marr parasysh ndryshimin e interesit të ShBA-ve nga Evropa drejt Paqësorit e Azisë, e cila problemin e Ballkanit do t’ia len në duar të BE-së.

E BE-ja e ndarë dhe e papërgatitur në qasjen e saj ndaj Ballkanit sa ishte edhe 20 vite më herët, dhe me problemet e saja të brendshme, e bënë edhe më të pa-aftë të ballafaqohet me një problem të tillë në Ballkan.

Në fund, thuhet se KIPRED nuk përkrah çfarëdo të drejte shtesë për veriun e Kosovës dhe është kundër asaj që veriu i Kosovës apo çfarëdo çështje e brendshme e Kosovës të jetë pjesë e dialogut politik me Serbinë.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni