Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë para ligjvënësve të Kuvendit të Kosovës se konkluzionet e arritura në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk e cenojnë në asnjë mënyrë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Ai ka thënë se pohimet se këto konkluzione e zhvlerësojnë pavarësinë e Kosovës, janë amatoreske.

Madje, Thaçi vlerësoi se kërkesa për pezullim të bisedimeve është kërkesë për izolim të Kosovës dhe për konfrontim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimit Evropian (BE).

Kjo ishte përgjigja e kryeministrit Thaçi ndaj opozitës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, me ç’rast sërish është përballur me shefin e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri në një polemikë të gjatë.

Kreu i ekzekutivit të vendit, disa herë u është drejtuar deputetëve opozitarë, veçmas atyre të LDK-së me pyetjen: Urdhëroni deklarohuni, a jeni për apo kundër dialogut?.

Dialogun e zhvilluar me Serbinë, Thaçi e ka cilësuar si një sukses, duke thënë se për herë të parë zyrtarët e Kosovës ulen të barabartë me ata të Serbisë.

“Dialogu do të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjes së problemeve praktike që janë mbi supet e qytetarëve. Qeveria do të vazhdojë me përgjegjësinë më të lartë t’i kryej obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore, por edhe obligimet ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se nga konkluzionet e BE-së të pranuara nga pala e Kosovës dhe e Serbisë, qytetarët e Kosovës do të ketë përfitime konkrete.

Objektivi kryesor i këtyre bisedimeve, sipas Thaçit, është që qytetarëve të Kosovës t’u sigurohet qarkullim i lirë në tërë rajonin dhe në Evropë. Ai ka siguruar ligjvënësit dhe qytetarët se vijat e kuqe të përcaktuara edhe me rezolutën e Kuvendit të Kosovës, do të respektohen dhe asnjëherë nuk do të lëvizet jashtë këtyre vijave.

“Kërkesa për pezullim të bisedimeve është kërkesë për izolim të Kosovës dhe për konfrontim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë Thaçi.

Kreu i ekzekutivit të vendit është shprehur i gatshëm të debatojë për çfarëdo aspekti të dialogut dhe të konkluzave të arritura në bisedime, por ka kërkuar nga ligjvënësit opozitarë që politika ditore e tyre, mos të ndikojë mbi qëllimet madhore.

SHPËRNDAJE