Kërkesa për hapjen e konsullatës shqiptare në Manastir

 

Shoqata Kulturore – Atdhetare “Kongresi i Bashkimit” në Manastir kërkon nga shteti shqiptar që të hap përfaqësinë diplomatike në nivel të konsullatës në këtë qytet.

Fërgim Demiri, një nga drejtuesit e kësaj shoqate deklaroi për INA se shteti shqiptar duhet të rikthejë konsullatën që ka ekzistuar dekada më parë në Manastir.

“Ne drejtojmë sërish një kërkesë të tillë në adresë të Tiranës zyrtare. Iniciativën me inkurajimin tonë në fillimet e viteve të 90-ta e hapi vetë ish-ambasadori shqiptar Shaban Murati dhe pas atij ajo ide u shua dhe asgjë nuk u bë nga pasardhësit e tij. Kjo konsullatë duhet të jetë sepse Manastiri është një nga kryeqendrat e historisë dhe kulturës shqiptare, por kjo do të jetë edhe një mbështetje për neve shqiptarët në këto vendbanime”, deklaroi Demiri.

Sipas tij, edhe kryetari i komunës së Manastirit, Vladimir Talevski ka shprehur vullnetin për hapjen e konsullatës dhe gatishmërinë për të siguruar hapësira pune, duke aluduar siç thuhet tek një pjesë e ndërtesës së Kongresit të Alfabetit.

“Ne jemi të hapur se një qëndrim të tillë kryetari Talevski e ka shprehur edhe në praninë e ambasadorit aktual Arben Çejku, por ekselenca e tij nuk ka ndonjë përgjigje konkrete. Ne apelojmë përmes agjencisë suaj dhe mediave tjera që ky mesazh ti drejtohet Qeverisë shqiptare, kryeministrit Sali Berisha dhe Ministrit të Jashtëm, Edmond Haxhinasto për hapjen e konsullatës”, deklaruan nga Shoqata “Kongresi i Bashkimit”.

Shqipëria para shumë kohës ka pasur konsullatën e saj në Manastir, nga periudha e Mbretërisë së Zogut, por edhe pas luftës së dytë botërore dhe gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë, por me disa ndërprerje.

Aktualisht në Manastir janë të pranishme mbi 12 konsullata, pothuajse nga të gjitha shtetet e Ballkanit, por edhe ato evroperëndimore.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni