ALBAN TARTARI

“…dalja e Turqisë si një aktor i pavarur dhe i fuqishëm në zemër të rajonit, që kalon nga Lindja e Mesme deri në Ballkan, Kaukaz dhe në Azinë Qendrore…”  Herald Tribune
Albanologut të ndjerë me origjinë shqiptare, prof. Nexhip Alpan (nga Zhulati i Gjirokastrës) i pëlqente të më tregonte para 9 vjetësh në Ankara historinë e Kenan Evrenit, Presidentit të shtatë të Republikës së Turqisë, i cili vizitoi në vitet ‘80 ish-Jugosllavinë. Sipas Alpanit, Evren u prit mirë në Beograd dhe në fund të takimeve zyrtare u pyet nëse kishte ndonjë kërkesë të veçantë (pyetje kortezie që u drejtohet thuajse të gjithë zyrtarëve miq). Ai tha se do të ishte shumë i lumtur nëse i vendosej në dispozicion një helikopter dhe dy kurora me lule. Kur e pyetën përse dhe për ku, ai tha se donte t‘i vendoste dy kurorat mbi varret e gjyshërve të tij në Preshevë ! Nuk harroi të shtonte se në dejet e tij rridhte gjak shqiptar, gjë që i çuditi dhe ndoshta nuk i bëri të ndihen mirë zyrtarët serbë të ish-Jugosllavisë. Kenan Evren është një personazh shumë i debatuar në Turqi, që endet mes dashurisë dhe urrejtjes, por në thelb të gjithë bashkohen se ai mbetet një burrë shteti. Albanologu Alpan, një qemalist i flaktë, donte të më tregonte sesa i lidhur ishte kombi shqiptar me atë turk… Qemalistët nuk e kanë me sy të mirë Perandorinë Osmane, por ja që ishin dhe janë të detyruar të respektojnë trashëgiminë e kësaj perandorie…
Këto rreshta janë një reagim i thjeshtë në respekt të shkrimit të mendimtarit dhe politikanit shqiptar Arbën Xhaferi (“Sfida Osmane”, gazeta “Shekulli”, 31 tetor 2009). Z. Xhaferi kritikon një ligjëratë të ministrit të Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, mbajtur në Sarajevë, duke e quajtur të papranueshme atë me realitetin aktual të Ballkanit dhe shqiptarëve (Lexojeni te plotë në www.ius.edu.ba/dzsusko/Davutoglu_transcript_dz ). Zoti Xhaferi e ka parë problemin tërësisht në këndvështrimin kombëtar shqiptar, duke mos u thelluar në atë që Turqia po bën dhe synon të bëjë në arenën ndërkombëtare.
Turqia, në këto vitet e fundit, po tregon se nuk është thjesht pjesë e mozaikut, por pjesë integrale e Ballkanit dhe po ashtu një ndër faktorët kryesorë të tij, njëherazi edhe shteti me influencën më të madhe në Perëndim për sa i përket Lindjes së Mesme, marrëdhënieve me Iranin, negociatave me Izraelin, zbutjes me Sirinë, ringritjen e urave me Armeninë etj. Këtu vlen të përmendet edhe impakti i Ankarasë mbi ish-republikat sovjetike turkofone. Davutoglu e specifikon këtë në intervistën e parë për median europiane, se “Turqia nuk është thjesht një shtet europian, por edhe aziatik, mesdhetar, kaukazian, i Detit të Zi dhe i Mesdheut, pra shumëdimensional” (“Der Spiegel”, 22 qershor 2009).
Për të analizuar atë që Davutoglu tha në Sarajevë, duhet të shohim të paktën hapat dhe rrugën e Turqisë, të ndjekur që nga viti 2002 kur në pushtet erdhi Partia për Drejtësi dhe Rimëkëmbje e Kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan (Recep Tayyip Erdoğan).
Në fakt, tezat që Davutoglu parashtroi në Sarajevë, janë një vijimësi e diplomacisë aktive turke që nisi me Abdullah Gul-in, në atë kohë ministër i Jashtëm (aktualisht President i Republikës Turke) dhe vazhdoi edhe me ministrin e radhës, Ali Babacan (ish-këshilltar i parë i Kryeministrit Erdogan) për t‘u përvijuar me ministrin aktual Davutoglu, që ashtu siç thotë edhe z. Xhaferi është arkitekti i politikës së jashtme turke në këto vite. “Ahmet Davutoglu, ministri i Jashtëm turk, është ai që ka krijuar kornizën teorike për politikën e re të jashtme të Turqisë. Vizitat e shtetarëve turq e ilustrojnë më së miri politikën e jashtme turke”, thotë e përditshmja “Herald Tribune”, botuar edhe në “Gazetën Shqiptare”.
Idetë e reja të tij kanë nisur madje të diskutohen e debatohen, sigurisht duke mos pasur edhe mbështetje apo duke ngjallur kundërshti ndonjëherë. (Gazeta “Hurriyet”, http://www.hurriyetdailynews.com/n.php?n=davutoglu-doctrine-elicits-new-responses-2009-11-02)
Kujtoni Davosin për të kuptuar se Turqia është ndoshta i vetmi vend që i kërkon llogari Izraelit, rikujtoni kritikat e tij ndaj Kinës lidhur me ndërhyrjet e ushtrisë ndaj ujgurëve turkofonë, vizitën e fundit të Erdoganit në Iran, hapat për zgjidhjen e çështjes së Qipros, kthimin e Turqisë në një urë energjie (gazi e nafte) drejt BE-së etj…
Sigurisht Turqia po i luan dhe do t‘i luajë të gjitha kartat për të pasur pjesën më të madhe të ndikimit në Ballkan. Përballë Greqisë, Bullgarisë dhe Serbisë agresive, Turqia po përpiqet të shtojë ndikimin e saj në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Bosnjë. Ajo shihet si siguresa më e afërt e këtyre vendeve (SHBA është shumë larg dhe vëmendjen e ka në Irak dhe Afganistan) dhe për këtë arsye po përpiqet që të sjellë në kujtesë edhe kohën e bashkëjetesës osmane.
E parë në dritën e historisë së shqiptarëve (siç e sheh z. Xhaferi), histori e cila është subjektive, e shkruar nën ndikimin e bllokut lindor (shembull i qartë filmi “Skënderbeu”) dhe që hedh dritë vetëm në 25 vite nga thuajse 500 vitet e Shqipërisë nën perandorinë, deklarata e Davutoglu duket si nxjerrja nga varri dhe ecja e një skeleti… Shqiptarët, por edhe popuj të tjerë, e kritikojnë pushtimin osman (gjë e drejtë e parë në këndvështrimin kombëtar), por ata nuk thonë asgjë lidhur me rolin e tyre në perandori dhe pjesëmarrjen në qeverisje gjatë kohës që nuk e kanë luftuar perandorinë (lexo “Shqiptarët në Perandorinë Osmane”, Nexhip Alpan – Nesip Kaçi).
Për këtë arsye, askush nuk pranon as edhe një fjalë lidhur me perandorinë, pasi në mendjen e të gjithëve shfaqet ai turku i shëmtuar dhe pa dhëmbë që i hakërrehet detit dhe Italisë përballë në filmin “Skënderbeu”… Kjo mbetet një temë e komplikuar që do të vazhdojë të debatohet, nëse historia jonë është e bazuar në hulumtime dhe punime shkencore apo është thjesht një pjellë e rrymave të ndryshme politike nacionaliste, që në një farë mënyre e kanë përdorur për të konsoliduar qeverisjen e tyre.
Gjithsesi, Republika Turke është e detyruar të bazohet në trashëgiminë osmane (me japonezët për shembull nuk i lidh gjë turqit) dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe për një arsye tjetër: për t‘i bërë karshillëk Bashkimit Europian. Ata po e fuqizojnë ndikimin e tyre (NATO për Shqipërinë, emri për Maqedoninë, pavarësia për Kosovën dhe mosndarja për Bosnjën) dhe duan t‘i tregojnë BE-së se kanë më shumë fuqi për të ndikuar e balancuar Ballkanin se sa vetë Brukseli. Rrjeti kombëtar turk TRT e cilësonte “vizitë në Ballkan për paqen” vizitën e Davutoglu në Serbi, Bosnjë e Shqipëri.
E lexuar ashtu siç është, deklarata e Davutoglu në Sarajevë është thjesht një kujtesë për të forcuar marrëdhënien e këtyre vendeve me Turqinë. Një politikani do t‘i falej një gafë e tillë (Davutoglu: Koha osmane duhet kthyer në Ballkan), por për një studiues kjo është tjetër gjë. Ajo thjesht flet për një element që u kujton sidomos boshnjakëve pozitën e tyre në perandori krahasuar me pozitën aktuale të tyre në bashkëjetesën (!) me serbët… Gjithashtu po të lexohet drejt, ligjërata e tij thjesht kërkon të frikësojë edhe Serbinë që të mos mprihet për ndryshim kufijsh dhe përfshirje të Republika Serbska në territorin e saj. (Kjo e specifikuar edhe nga e përditshmja më e madhe turke në gjuhën angleze “Today‘s Zaman”, 17 tetor 2009).
Pra, nuk ka vend këtu për ndryshim kufijsh apo shqetësim sesi do të reagojnë grekët, bullgarët dhe serbët. Çdokush mendon dhe punon për ndikimin dhe hegjemoninë e tij në rajon. Ajo që shqiptarët duhet të nxjerrin nga e gjithë kjo, është të ndajnë fqinjësinë e mirë nga krijimi i lidhjeve dhe partneritetit strategjik afatgjatë. Çdokush mund ta përdorë historinë për t‘u ndarë, idealja është të përdoret për të gjetur pikat dhe interesat e përbashkëta. Dhe duket se turqit dhe shqiptarët (të Tiranës, Prishtinës e Tetovës), apo turqit dhe boshnjakët, madje edhe turqit e maqedonasit, e kanë të prerë bashkë biletën e udhëtimit dhe për këtë s‘ka nevojë të caktojnë sulltanin apo të rishpallin vilajetet. Të dyja palët kanë nevojë për njëri-tjetrin në situata të caktuara gjeopolitike dhe dikush që i njeh mirë zhvillimet dhe koniunkturat rajonale të 20 viteve të fundit në rajon, e di mirë se cila është gjëja më e mirë për shqiptarët. (SHQIP)

SHPËRNDAJE