Kongresi Botëror Maqedonas (KBM) i drejtuar nga Todor Petrov që është në koalicion me partinë VMRO DPMNE ka kërkuar nga qeveria që të anulojë regjistrimin e kandidatëve të rinj në Akademinë Ushtarake në Shkup. Todorovit i ka penguar ky regjistrim për shkak se nga ana e ministrisë së mbrojtjes është kërkuar që në regjistrim të kihet parasysh përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve. KBM ankohet se kinse kandidatë maqedonas me rezultate më të larta kanë mbetur pa u regjistruar në Akademinë Ushtarake, ndërkaq shqiptarët me rezultate më të dobëta janë pranuar.

Inati i KBM-së shkon aq larg sa shpreh nacionalizmin dhe politikën anti shqiptare ku thekson se shqiptarët në Maqedoni nuk janë as 15 për qind e popullatës.

“Ligji për Akademinë ushtarake nuk thekson se sa kandidatë nga bashkësitë etnike duhet të pranohen, por përfaqësimi i drejtë ka të bëjë me rezultatet e regjistrimit të popullsisë pa diskriminim, kurse numri i shqiptarëve në Maqedoni gjithsesi se nuk është 50 për qind, por më së shumti 15 për qind”, thuhet në komunikatën e KBM-së.

Me këtë deklaratë përveç se konstatohet dëshpërimi i madh pse në Akademinë Ushtarake për herë të parë ka numër më të madh të kandidatëve shqiptarë të regjistruar ndër vite, por edhe del në skenë qëllimi i KBM-së dhe partisë maqedonase në pushtet që me regjistrimin e fundit që u anulua në vitin 2011 t’i nxjerrin shqiptarët në kuotën e 20 për qindshit.

SHPËRNDAJE