(AIK-Presheva Jone)

 

Partia Demokratike Shqiptare ka refuzuar ftesë e presidentit, Gjorgje Ivanov, për të marrë pjesë në takimin e liderëve më 21 janar. Kreu i PDSH-së, i ka dërguar një letër presidentit Ivanov, në të cilët i tregon arsyet e mospjesëmarrjes së tij në takimin e paralajmëruar.

“Ju falënderoj për ftesën që të marr pjesë në takimin e liderëve që në Maqedoni praktikohet prej kohës së ish-presidentit Gligorov. Të jem i sinqertë gjithmonë kam pasur rezervë ndaj këtyre takimeve që kishim vetëm një qëllim: të krijojnë iluzionin e normalitetit në një kohë kur asgjë nuk ishte e tillë”, thuhet në letrën e kreut të PDSH-së, drejtuar Ivanovit.

Sipas Thaçit, ftesa e presidentit të vendit, ngërthen në vete një porosi që e përbuz memorien jo vetëm të shqiptarëve të Maqedonisë, por në përgjithësi.

Më poshtë lexoni arsyet e kreut të PDSH pse refuzon takimin e liderëve:

1. Si arsye për këtë takim ju theksoni faktin se këtë vit do të shënohet 20 vjetori i pavarësisë së Maqedonisë. Sipas të gjitha gjasave ju paskeni harruar se shqiptarët si një popull i lashtë autokton e bojkotuan referendumin për shkak të karakterit etnocentrik të pyetësorit. Gjithashtu deputetët shqiptar pikërisht për këtë qëllim nuk e votuan miratimin e kushtetutës së 17 nëntorit 1991.

Ky antagonizëm etnik lidhur me mënyrën se si u imponua ideja për pavarësi të Maqedonisë pa e përfshirë interesin e shqiptarëve tashmë ka marrë karakteristikat e joluajalitetit etnik, por jo kundër interesave të popullit maqedonas, por ndaj establishmentit politik dhe konceptit të tyre për shtetin. Së këndejmi konsideroj se shqiptarët s’kanë çka të festojnë dhe se asnjë takim liderësh të kësaj natyre nuk mund të zgjidhë njëherë e përgjithmonë këtë antagonizëm etnik;

2. Si arsye të dytë për mbajtjen e këtij takimi të liderëve ju përmendni jubileun 10 vjeçar të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Të dy arsyet që ju i theksoni kanë ndikuar në thellimin e mosbesimit ndëretnik dhe nuk shërbejnë si motiv për ndërtimin e marrëdhënieve harmonike. Çka të shënohet z.president? Afatet që në mënyrë arrogante u shkelën, konceptin e përdorimit të gjuhëve që u soll hundë e buzë, pa debat dhe në kundërshtim me MO dhe Kushtetutën e RM-së, pjesëmarrjen joadekuate të shqiptarëve në administratën shtetërore, ndarjen e pa drejtë të buxhetit, mosrespektimi i Ligjit për Amnisti, shkeljet e përditshme të karakterit sekular të shtetit etj!?

3. Në letrën tuaj ju theksoni rëndësinë për realizmin e qëllimeve sublime strategjike të R.Maqedonisë, integrimin e saj në NATO dhe UE. Nëse merret parasysh fakti se politika vlerësohet në bazë të prioriteteve që një qeveri u jep realizimit të disa çështjeve, atëherë duhet konstatuar se ju i dhatë prioritet përkeqësimit të marrëdhënieve me Greqinë, pra me NATO-n dhe UE-në.

Për planin urbanistik “Shkupi 2014” ju nuk u konsultuat as me liderët, as me institucionet ndërkombëtare, por në disa qarqe joformale sollët një vendim provokues që dukshëm i zvogëloi gjasat e Maqedonisë për integrim në këto institucione. Në vend që të ndërtoni marrëdhënie racionale me Greqinë, ju qëllimisht e provokoni të drejtën e tyre për veto që do të pengojë integrimin e Maqedonisë në këto institucione. Tashmë u bë sfilitëse politika në dy binarë: njëra për përdorim të brendshëm dhe tjetra për përdorim të jashtëm. Për të qenë më i qartë do të përsëris se PDSH-ja nuk pajtohet me këto kriteriume provinciale në rrafshin e politikës ndërkombëtare të RM-së sidomos me këtë tendencë kleronacionaliste në politikë.

4.Në letrën ju përdorni termine të paqarta që kanë të bëjnë me statusin e të ftuarve. Herë thoni se konsultoheni me subjekte relevante politike, herë thoni se keni ftuar në takim ‘liderët e partive më të mëdha parlamentare”. Cilët janë ato kriteret që i kategorizojnë partitë politike si “subjekte relevante politike” ose si “parti më të mëdha parlamentare”? Si duket qëllimisht e injoroni Kodin Zgjedhor. Në Maqedoni, siç dini zgjedhjet zhvillohen sipas modelit proporcional që do të thotë se votat i marrin partitë dhe jo individët. Në vijë të këtij konstatimi parashtrohet pyetja kë e paske thirrë në këtë takim liderësh: të arratisurit nga partitë ose liderët e vërtetë të partive politike?

“Duke marrë parasysh se PDSH-ja është duke i bojkotuar institucionet e sistemit për shkaqe të lartpërmendura, duke marrë parasysh se qeveria me kokëfortësi të pashpjegueshme ikë nga përballja me probleme që i kemi parashtruar ne, ftesën tuaj që të marrim pjesë në takim të tillë të liderëve e cilësoj si fyerje personale dhe si cinizëm i pashembullt ndaj shqiptarëve. Shpresoj se me dashamirësi do ta pranoni përgjigjem time”, thuhet në fund të letrës.(ina)

SHPËRNDAJE