KAOS FINANCIAR NE RTK..Edhe sindikata e rtk-së kundër, Jepni dorëheqje

Sindikata e punëtorëve të RTK’së që udhëhiqet nga Fadil Hoxha, të enjten ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të atyre që janë përfshirë në keqpërdorimet e këtij mediumi. Për këtë çështje ka reaguar edhe LDK’ja. Reagimet vijnë pak ditë pasi një punëtor anonim i RTK’së ka vendosur t’i publikojë të gjitha dallaveret e menaxhmentit dhe një pjese tjetër e stafit të RTK’së të cilët janë përfshirë në keqpërdorime.

Po kërkojnë dorëheqjen e tyre, e në të njëjtën kohë edhe llogaridhënie për të gjitha ato çfarë thuhet se kanë bërë. Vetëm pak ditë pas publikimit të një raporti, i cili tregon për të gjitha keqpërdorimet që janë bërë në Televizionin Publik të Kosovës, kanë reaguar ashpër Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të RTK’së dhe partia më e madhe opozitare në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Të tmerruar nga një raport i mbështetur me të gjitha faktet, i cili është dërguar ditë më parë nga një punëtor anonim i këtij mediumi, sindikalistët e RTK’së të mërkurën kanë vendosur të reagojnë publikisht. Në reagimin e dërguar nëpër të gjitha mediat, Fadil Hoxha, kryetar i njërës nga sindikatat e RTK’së, thotë se e gjithë sindikata e udhëhequr nga ai është thellë e shqetësuar lidhur me zhvillimet e fundit rreth RTK’ë. Sipas tij, i gjithë ai material i bërë publik para disa ditësh, nga burime anonime, në të cilin pretendohet për keqpërdorime milionëshe të buxhetit të RTK’së, ka bërë që gjendja në RTK të jetë tejet konfuze dhe e tensionuar.

“Me qëllim të qartësimit të kësaj situate skajshmërisht të dëmshme për imazhin e RTK’së, Sindikata e RTK’së i drejtohet Bordit të Drejtorëve me kërkesën që urgjentisht të kërkojë llogaridhënie nga menaxhmenti i RTK’së”, ka thënë Hoxha nëpërmjet një komunikate.

Sipas Hoxhës, sindikata e RTK’së në vazhdimësi, në reagimet e saj publike, ka ngritur shqetësime për keqmenaxhim me buxhetin e RTK’së, madje duke kërkuar edhe hetime nga themeluesi i RTK’së, Kuvendi i Kosovës. “I bëjmë me dije themeluesit të RTK’së, Kuvendit të Kosovës, se është shansi i fundit që të pengohet rrënimi përfundimtar i mediumit të vetëm publik në Kosovë. Një reagim konkret dhe i menjëhershëm nga ky institucion është më se i nevojshëm”, thuhet në këtë reagim.

“Nga më të përfolurit për keqpërdorime në materialin e publikuar, konkretisht nga kryepërgjegjësit e RTK’së, kërkojmë dorëheqje të menjëhershme, në mënyrë që organet kompetente të jenë të lira ta kryejnë punën e tyre”, vlerëson Hoxha.

E nuk janë vetëm sindikalistët e këtij mediumi që kanë reaguar. Të njëjtën ditë, reagime për të njëjtën çështje kanë ardhur edhe nga partitë politike. Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me të dhënat që kanë qarkulluar ditëve të fundit, të cilat dëshmojnë se keqmenaxhimi i parasë së taksapaguesve të vendit nga drejtuesit e Radiotelevizionit të Kosovës ka marrë përmasa të paimagjinueshme.

LKD’ja vlerëson se, përveç pagave astronomike që marrin, drejtuesit e RTK’së po e shpërblejnë vetveten edhe me mëditje të stërfryra për udhëtimet jashtë vendit, si dhe me punësimin dhe “angazhimin” e familjarëve të tyre në projekte, të cilat buxhetit të RTK’së po i kushtojnë mijëra euro. “RTK’ja është mbërthyer në kthetrat e nepotizmit. Pothuajse secili drejtues e ka rehatuar nga një afërm të vetin në RTK. Kështu, ky institucion, i cili do të duhej të ishte dritarja kryesore e informimit të qytetarëve të vendit, për fat të keq po bëhet institucion i keqpërdorur”, thotë LDK’ja përmes një kumtese për medie.

Më tej, thuhet se nga të dhënat del se drejtues të caktuar të RTK’së kanë angazhuar në projekte tepër të kushtueshme të afërmit e tyre, madje edhe fëmijët e tyre, dhe po i shpërblejnë ata me shuma marramendëse parash për projekte minore dhe për emisione që nuk e kanë ekskluzivitetin e RTK’së.

Për gjendjen e krijuar në RTK, Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron përgjegjëse të drejtpërdrejtë Qeverinë e Kosovës, e cila ka instaluar aty njerëz të dëgjueshëm dhe jokompetentë. “Dëgjueshmëria ndaj pushtetit qendror u ka krijuar komoditet udhëheqësve të sotëm të RTK’së që të bëjnë çka të duan me pasurinë e këtij mediumi”.

LDK’ja konsideron se është koha e fundit që institucionet përgjegjëse t’i zbardhin të gjithë dyshimet lidhur me parregullsitë e shumta financiare në RTK – për të cilat ekzistojnë dëshmi flagrante – sepse qytetarët e Republikës së Kosovës paguajnë taksa për të pasur një televizion të tyrin profesional, e jo për t’i mbushur xhepat e një grupi njerëzish që sot ndodhet në krye të këtij institucioni.

Të gjitha këto reagime vijnë pak kohë pasi në adresat elektronike të të gjitha mediave është shpërndarë një material i emërtuar si “Korrupsioni në RTK” nga adresa anonime. Në këtë material, në të cilin thuhet se është shkruar nga një punëtor i vjetër i RTK’së, i cili ka dashur të mbetet anonim, ofrohen materiale faktike se si menaxhmenti dhe një pjesë tjetër e stafit të RTK’së është i përfshirë në keqpërdorime. Njeriu kryesor i përfshirë në këto keqpërdorime përmendet zëvendësdrejtori i përgjithshëm i RTK’së, Mentor Shala, i cili sipas këtij personi, ka keqpërdorur mjete nga pagesat e produksioneve të jashtme e që gjashtë nga emisionet që i shiten RTK’së thotë se janë pjesë e kompanisë “ProMedia”, e cila pretendohet se është e Shalës. Bashkëpunëtorë në këto projekte janë Ridvan Berisha, Gazmend Elshani dhe Fisnik Dërguti, të gjithë koleg të Shalës.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni