NGA: SEVDAIL HYSENI

Java e parë e dhjetorit përshkohet me një varg aktivitetesh  të ngjeshura në Luginë të Preshevës, në planin e vizitave të ambasadorëve të shteteve të huaja të akredituara në Beograd, por edhe në rrafshin e zhvillimeve të fushatës elektorale në Preshevë.

Bujanoci dhe njeriu i parë i saj, Shaip Kamberi, pati kënaqësinë  të shtroj  një drekë pune  për Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, E.T. Kyle Scott, i cili, këto ditë, po qëndron për një vizitë në Luginë të Preshevës.

Në kuadër të kësaj dreke miqësore, në mes Kryetarit të Komunës së Bujanocit Shaip Kamberi dhe Ambasadorit Scott, u shtruan shumë tema, që kishin të bënin me integrimin e shqiptarëve në institucione shtetërore, çështjen e teksteve shkollore dhe nostrifikimin e  diplomave, probleme, këto me të cilat po përballen shqiptarët e Luginë, sot e disa vjet më parë.

Gjithashtu, në kuadër të kësaj dreke pune, nuk mbeti pa u diskutuar edhe situata politike në Luginë të Preshevës dhe rëndësia e zgjidhjes së problemeve me  rrugë institucionale.

Vlen të ceket se Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e akredituar në Beograd, është e përmendur për ndihmat amerikane drejtuar shqiptarëve në Luginë të Preshevës, qoftë përmes projekteve të USAID-it, qoftë edhe përmes donacioneve të tjera me karakter ekonomik e kulturor, siç është Këndi Amerikan në Bujanoc.

Përshtypjet e mira për vizitën e Ambasadorit amerikan Scott, në Bujanoc, i ka nënvizuar në rrjetin e tij social, Shaip Kamberi, i cili ka shkruar se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbeten miq tanë në rrugëtimin drejt integrimit evropian”.

Image
SHPËRNDAJE