Kadare letër Bashës: Tërhiqu nga kandidatura për Tiranën

 

Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare i shkruan letër të hapur kandidatit demokrat Lulzim Basha.

Shkrimtari i mirënjohur shqiptar Ismail Kadare i ka shkruar një letër të hapur kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha. “I shqetësuar seriozisht, si shumica e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, po ju dërgoj këtë letër të hapur, me shpresë se ndoshta mund të ndihmojë në zgjidhjen e kolapsit të papritur në të cilin është gjendur jo vetëm shteti, por gjithë kombi shqiptar.

S’është nevoja të zgjatem këtu për pasojat e rënda të këtij kolapsi, që nis prej tronditjes së demokracisë dhe kalendarit të jetës së brendshme, gjer te rreziku i izolimit të ri të vendit, çka do të ishte fatale sot për të dy shtetet shqiptarë në Ballkan.

Nisur nga kjo, shpresoj se do ta kuptoni drejt mesazhin tim, i cili nga këndvështrimi i klasës politike shqiptare mund të duket i gabuar politikisht, strategjikisht, taktikisht etj.,etj. por nga një tjetër pikëpamje, nga interesat e larta tê vendit, të republikës dhe të kombit do të ishte i drejtë dhe i saktë.

Si politikan dhe si zyrtar ju jeni gjendur kohët e fundit, në qendër të një cikloni, i cili jo vetëm mund t’ia mbyllë rrugën përparimit të kombit shqiptar, por ta kthejë atë shumë vite prapa në histori. S’është nevoja këtu t’ju kujtoj se sa e pandreqshme dhe e pafalshme do të jetë kjo mbrapshti.

Nisur nga kjo, në kushtet e një fitimi ose të një humbjeje fare të paqartë, do t’ju propozoja një gjest , që, sot për sot është i rrallë, gati i përjashtuar nga jeta politike shqiptare : tërheqjen nga kandidimi për kryetar bashkie.

Nuk e kam vështirë të marr me mend , në këtë rast, reagimet e militantëve të krahut tuaj politik. E bashkë me të, hamendjet, dyshimet e gjithë britmat rituale. Do t’ju thoshja se prej kohësh ato s’më bëjnë asnjë përshtypje. Ndërkaq, meqenëse kanë lidhje me një pjesë të popullit shqiptar, do të doja t’ju jepja thelbin e mesazhit tim : Me këtë propozim, pavarësisht se si do ta kuptoni, unë ju nderoj.

Që të jem i saktë gjer në fund, do të shtoja se kjo nuk është çështje preference për ju, çështje afërsije etj. Dhe aq më pak nuk është sfidë ndaj kundërshtarit tuaj politik. Propozimi për tërheqje mund t’ia bëja secilit prej jush , por mendova se tërheqja do të ishte më e lehtë për ju që jeni në pushtet, sesa për tjetrin , që është shef i opozitës.

Prej kohësh jam i paanshëm dhe ky qëndrim më shumê se ndonjë meritë apo mosmeritë e imja, ka të bëjë me profesionin tim. Për shkrimtarin gjithë bashkëkombësit janë, në radhë të parë, lexuesit e tij, ndaj ai e ka vështirë të jetë me njërën gjysmë kundër tjetrës. Ky vizion dikujt mund t’i dukej egocentrizëm prej shkrimtari, por nëse kjo do të gjykohej e fajshme, do ta pranoja këtë faj apo këtë cen gjenetik.

Duke ju propozuar tërheqjen prej kandidimit, desha t’ju kujtoj se gjeste te tilla janë të njohura në historinë e pjesës më të emancipuar të njerëzimit. Janë të njohura dhe te çmuara si gjeste të mëdha tërheqja nga një këmbëngulje, nga një post, nga një dyluftim, madje nga një fron, nëse këmbëngulja , posti, dyluftimi apo froni shkaktojnë fatkeqësi. Desha t’ju kujtoja se themeluesi i shtetit shqiptar, I. Qemali, më 1912 , ka qenë njëkohësisht themeluesi i dorëheqjes shqiptare, kur me gjestin e tij madhështor, pas kërkesës së fuqive evropiane, u tërhoq nga posti i vet, për të mirën e Shqipërisë.

Mendoj se Shqipëria nuk duhet t’i harrojë këto shenja të mëdha të qytetërimit të saj. Ajo duhet t’i kultivojë ato, të tregojë se nuk është një shtet tribal, por shtet evropian demokratik, pjesë e familjes më të emancipuar të kombeve. Ajo duhet të tregojë se është në gjendje, se mundet, se duhet te jetë anëtare e denjë e familjes.

Gjesti i juaj do të jetë një mesazh emancipimi dhe shprese për brezin e ri shqiptar, duke përfshirë edhe atë të politikanëve. Çdo gjest i tillë, përpara se tê nderojë një politikan, një krah apo një stinë të politikës, na nderon të gjithëve.

Jemi mësuar me shprehjen “turp i përbashkët”, që mirë a keq, e kemi përjetuar gjatë shumë viteve, por rrallë herë me shprehjen tjetër “nder i përbashkët”. Le të shpresojmë se do të vijë edhe koha e saj”, shkruan në letrën e tij shkrimtari Ismail Kadare.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni