Pagesat e larta, të cilat duhet t’i paguajnë qytetarët e Luginës së Preshevës me rastin e kalimit të kufirit nga Presheva në Kosovë, janë duke shkaktuar probleme dhe pakënaqësi të mëdha te qytetarë, thonë përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Ata kritikojnë institucionet e Kosovës, duke thënë se vendimi i ekzekutivit kosovar për këtë çëeshtje duhet të shqyrtohet sa më parë.

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, thotë për Radion Evropa e Lirë, se marrëveshja e arritur në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për qarkullimin e lirë të njerëzve, ka shkaktuar probleme të mëdha për shqiptarët e Luginës e Preshevës, raporton Koha.Net

“Numri i automjeteve që kalojnë në Republikën e Kosovës është zvogëluar për rrafsh 75 për qind. Ndërsa, vetëm 25 për qind e numrit të automjeteve kanë kaluar që nga data e vendosjes së kësaj takse në drejtim të Kosovës”, thotë Mustafa për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson se shqiptarët e Luginës, nuk e kanë merituar një gjë të tillë dhe, siç shprehet Mustafa, Qeveria e Kosovës duhet që sa më parë ta heqë taksën që duhet të paguajnë qytetarët që dëshirojnë të kalojnë në Kosovë.

“Kjo masë e ndëshkimit për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duhet të largohet sa më shpejt, në mënyrë që për shqiptarët e Luginës të ekzistojë liria e qarkullimit të lirë në drejtim të Kosovës. Ne, edhe ashtu jemi të hendikepuar, jemi të izoluar nga Serbia, jemi të izoluar edhe nga Republika e Maqedonisë, për shkak të kalimeve doganore kufitare, mos-hapja e kalimeve të vogla. Dhe, tash jemi në një pozicion getoizimi absolutisht i pamerituar që është vënë nga autoritetet e Qeverisë së Kosovës”, thekson Mustafa.

Ditë më parë, Beogradi vendosi tarifën prej 100 eurosh për kosovarët, të cilët duan të qarkullojnë në shtetin serb – vendim, të cilit Prishtina zyrtare i është përgjigjur me reciprocitet. Ky sigurim zgjat 30 ditë.

Automjetet me targa të Serbisë që duan të hyjnë në Kosovë për qëndrim 15-ditor, duhet të paguajnë nga 60 deri në 145 euro – varësisht prej llojit të automjetit.

Por, kryetari i Komunës së Preshevës, Mustafa, thotë se serbët nuk janë duke i paguar taksat e Kosovës, pasi që, sipas tij, ata po i shfrytëzojnë tabelat e regjistrimit KS, PR, GL etj.

“Serbët e Kosovës në rast se kalojnë kufirin për në Serbi, nuk paguajnë as në Serbi, as në Kosovë, duke shfrytëzuar dy palë tabela në njërën – anë tabelat e vjetra PR, GL etj., që kanë qenë para vitit 99 dhe tjetrën KS dhe në këtë kontest nuk u nënshtrohen pagesave siç ju nënshtrohen shqiptarët e Luginës së Preshevës”, bën të ditur Mustafa.

Nga ana, tjetër, kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri, sqaron për Radion Evropa e Lirë se që në fillim, Kosova nuk ka qenë dakord për këto tarifa kaq të larta, pasi “një gjë e tillë e vështirëson lirinë e lëvizjes”.

Megjithatë, kryenegocioatorja Tahir thotë se për uljen e këtyre tarifave, janë mbajtur disa takime në nivel ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel,

dhe në javët e ardhshme shpresojnë që të arrijnë rezultate.

SHPËRNDAJE